Bamir Topi dëshmon në GJKKO për dosjen “Partizani”: Procedura erdhi nga shtabi i përgjithshëm, Presidenti vetëm përmbyllte aktin juridik
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të gjyqit të themelit për dosjen “Partizani”.
Topi ka dhënë sqarime për procesin e planit të përhapjes së Forcave të Armatosura, nxjerrjen e pronave ushtarake nga ky plan dhe rolin e institucionit të Presidentit në këtë procedurë. Ai tha se, në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, roli i tij ishte institucional dhe lidhej me përmbylljen juridike të procedurave të ardhura nga strukturat përkatëse.
“Procesi i planit të përhapjes ishte proces politik që vinte përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe teknik që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm. Ishte një periudhë reformash shumë të rëndësishme në funksion të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, që erdhi vetëm pas pak kohësh. E gjithë procedura asistohej nga ekspertë shumë të njohur të NATO-s”, deklaroi Topi.
Sipas tij, procedura përgatitej nga Shtabi i Përgjithshëm në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas mbërrinte në Presidencë vetëm për miratim.
“Realizohej, mbyllej nga shtabi në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe vinte tek unë vetëm për t’u mbyllur juridikisht. Për të mbyllur një procedurë në funksion të ambicies madhore për t’u bërë pjesë e NATO-s”, tha ish-presidenti.
Topi u shpreh se, pas daljes së një strukture ushtarake nga plani i përhapjes, ajo nuk ishte më në varësinë e drejtpërdrejtë të Presidentit.
“Që nga momenti që del si strukturë ushtarake nga plani i përhapjes, nuk është më strukturë varësie drejtpërdrejt e Presidentit”, tha ai.
Gjatë dëshmisë, Topi foli edhe për komunikimin me ish-gjeneralin Vladimir Qiriazi, i cili, sipas tij, kishte shkuar në Presidencë për të paraqitur një shqetësim.
“Mos gaboj ka ardhur gjeneral Vladimir Qiriazi. Kisha axhendën time të ditës të ngarkuar, megjithatë e prita se ishte me statusin e gjeneralit. Ekspozoi shqetësimin, i dhashë porosi shefit të kabinetit të asistonte me stafin përkatës”, tha Topi.
Ai shtoi se më pas kishte marrë informacion nga shefi i kabinetit se çështja ishte konsultuar me stafin përkatës, por nuk lidhej me një kompetencë të Presidentit, pasi prona kishte dalë nga plani i përhapjes dhe ishte në juridiksionin e strukturave të qeverisë.
“Në fund të ditës mora informacion nga shefi i kabinetit që u konsultuan, dhanë mendimet, por nuk është një gjë që bën fjalë për funksionin e Presidentit pasi kishte dalë nga plani i përhapjes dhe është në juridiksion të strukturave të qeverisë. Kaq ka qenë, asistencë normale që jep një kryetar shteti”, u shpreh ai.
Për shkarkimin e Qiriazit nga detyra në vitin 2009, Topi tha se nuk mbante mend hollësi mbi propozimet për shkarkim apo lëvizje.
“Për shkarkimin nga detyra të Qiriazit, propozimet për shkarkim apo lëvizje nuk mbaj mend, por besoj vinte nga Shtabi i Përgjithshëm”, deklaroi ish-presidenti.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Jamarbër Malltezit, Topi tha se dokumentacioni vinte nga Shtabi i Përgjithshëm dhe se Presidenti nuk ndërhynte në përmbajtjen teknike të tij.
“E gjithë procedura e ardhur në Presidencë ka ardhur si detyrim kompetence përmes asistencës. Presidenti nuk futet në mënyrë analitike se si është përpiluar shkresa. Aty ku përgatitet teknikisht plani i përhapjes është Shtabi i Përgjithshëm”, tha ai.
Sipas Topit, procedura ishte zyrtare dhe kalonte në disa hallka institucionale.
“Ishte procedurë zyrtare. Gjithçka ka ardhur si pasojë e prezantimit nga Shtabi i Përgjithshëm, që e kanë propozuar. Aty kanë qenë edhe specialistë e zyrtarë të NATO-s. Presidenti nuk komunikon me fjalë goje, por vetëm me gjuhën e komunikimit institucional dhe kushtetues”, u shpreh ai.
Ai shtoi se dokumentacioni kalonte nga Shtabi i Përgjithshëm drejt Presidencës përmes strukturave përkatëse dhe këshilltarëve.
“Kam procedurën, është një listë me reparte ushtarake me numra. Procedura realizohet në mënyrë shumë rigoroze, vjen nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes, asistohet nga ekspertiza e NATO-s dhe këshilltarët e Presidentit”, tha Topi.
I pyetur nga avokatja Klodiana Gjyzari, Topi tha se kishte miratuar një procedurë me firmë, por dokumentacioni përmbante lista me shumë reparte ushtarake.
“Kam miratuar një procedurë me firmë. Pjesa finale është firma e Presidentit. Në memorien time kanë qenë shumë reparte, të paraqitura nga Shtabi i Përgjithshëm”, deklaroi ai.
Sipas Topit, fakti që një repart mund të kishte lidhje me kompleksin “Partizani” nuk do të thoshte se Presidenti ishte i detyruar ta njihte në detaje.
“Kur vjen lista e reparteve, jo domosdoshmërisht duhet ta dish se bëhet fjalë për klubin Partizani, por kjo nuk ta heq mundësinë të mësosh se ka qenë edhe ai repart që ka lidhje me klubin Partizani. Kur je në zyrë do ndjekësh procedurën juridike dhe ligjore”, tha ai.
Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes kishte pjesën politike të procesit, ndërsa Presidenti merrte vetëm aktin final juridik.
“Te Presidenti vjen vetëm për të marrë firmën e fundit si akt juridik. Këtë e thotë Kushtetuta, e thotë ligji”, u shpreh Topi.
Gjatë seancës, Topi u pyet nëse kishte pasur presion nga ish-kryeministri Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi apo Xhimi Begeja.
“A ju ka bërë ndonjëherë presion Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja?”, u pyet Topi.
“Kurrë, kurrë. Në komunikim me zonjën prokurore këtë i kam thënë, asnjëherë. Prokurorja nuk më ka pyetur, por unë jam shprehur se nuk kam pasur asnjë lloj komunikimi të kësaj natyre”, u përgjigj ai.
GJKKO vijon shqyrtimin e dosjes “Partizani”, e cila lidhet me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Të njëjtin qëndrim si brenda seancës në GJKKO, Topi mbajti dhe në prononcimin pas dhënies së dëshmisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




