Morën me forcë dhe dhunuan 28-vjeçarin për borxhin e qirasë së makinave, arrestohen 3 persona në Lezhë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një 28-vjeçar është marrë me forcë dhe dhunuar nga tre persona, pas një konflikti të dyshuar për pagesat e dy automjeteve të marra me qira. Policia e Lezhës ka arrestuar dy vëllezër, administratorë të subjektit të qirasë së automjeteve, si dhe kushëririn e tyre.

Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të një 70-vjeçari, i cili njoftoi Policinë se djali i tij ishte marrë me forcë nga disa persona dhe ishte transportuar me automjet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë reaguan menjëherë, duke bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e tre autorëve të dyshuar pak minuta pas kallëzimit. Në pranga u vunë shtetasit R. M., 28 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, vëllezër, si dhe kushëriri i tyre E. M., 22 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, tre të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar me vetëgjyqësi, duke marrë me forcë 28-vjeçarin në një karburant në fshatin Derven, pasi pretendonin se ai nuk kishte shlyer pagesat për dy automjete të marra me qira në subjektin që administronin dy vëllezërit.

Më pas, ata dyshohet se e kanë transportuar të riun me automjet drejt një karburanti në fshatin Shënkoll, ku e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë.

Policia ka sekuestruar automjetin me të cilin 28-vjeçari është marrë me forcë dhe është transportuar nga Kruja drejt Lezhës.

I dëmtuari është dërguar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas është larguar në banesë, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, kryer në bashkëpunim.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme