Shembja e ndërtimeve pranë Liqenit të Ujmanit/BE i kërkon Kosovës të ndalë aksionin në veri të vendit

Kosovë | 2 muaj më parë

Inspektorati i Mjedisit në Kosovë nisi të martën shembjen e objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, zonë e cila ndodhet në komunën veriore të banuar me shumicë serbe, Zubin Potok.  Sipas Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”  operacioni erdhi pas paralajmërimit të lëshuar më 3 korrik ndaj 11 personave që kishin ndërtuar banesa dhe objekte të tjera në pronën e saj, duke u kërkuar lirimin e godinave brenda datës 17 të këtij muaji.

Por banorët, kryesisht serbë pretendojnë se  ndërtesat ishin ngritur në tokë që e kishin marrë në shfrytëzim në vitin 2006 nga ndërmarrja serbe “Srbija Shume”, së cilës i kishin paguar qira. Aksioni i mbështetur edhe nga Policia e Kosovës në veri të vendit u kritikua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe ambasada gjermane, të cilat kërkuan pezullimin e akisonit.

Zyra e BE-së tha se për shembjen e shtëpive në Ujman nuk u respektuan procedurat e rregullta ligjore. Sipas saj aksioni i së martës u ndërmor në kohën kur banorët kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor, të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”, ndaj bëri thirrje që autoritetet të bashkëpunojnë me banorët dhe komunat e prekura dhe të gjejnë zgjidhje ligjore, duke shtuar se pret nga Kosova që në përputhje me rrugën evropiane të adresojë këto shqetësime me urgjencë dhe akte të ngjashme të mos përsëriten.

“BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti.”- thuhet në deklaratën e saj. Zona në Liqenin e Ujmanit konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme