Miratohen në Kuvend amendimet në ligjin për Policinë e Shtetit, Lamallari: Reformë që forcon dhe modernizon institucionin

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka bërë të ditur miratimin në Kuvend të amendamenteve të reja në Ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë e cila sipas tij synon forcimin e institucionit policor duke ruajtur parimet themelore mbi të cilat ai është ndërtuar.
Sipas Lamallarit, këto ndryshime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt një policie më moderne, efikase dhe profesionale, në përputhje me sfidat aktuale të sigurisë, veçanërisht krimit të organizuar dhe atij transnacional.
Ai shpjegon më tej se amendamentet kryesore parashikojnë “forcimin e kapaciteteve drejtuese, ristrukturim më i thjeshtë dhe funksional i organizatës, me një zinxhir komandimi të qartë që mundëson vendimmarrje më të shpejtë dhe efektive”.
“Kapacitet drejtues më i fortë – organizim më i thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë; Sistemi i karrierës – rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës; Fund vakancave të zgjatura – institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum; Administrim më modern i burimeve njerëzore – rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional dhe ruajtja e kujtesës institucionale – përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj”, shkruan në rrjetin social në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme.
Lamallari shton se në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, “Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




