“Ai thoshte hajdeni se do ju vras të gjithëve”/ Krimi i rëndë në Roskovec, flasin vëllai dhe nipi i viktimës: Ngjarja e paralajmëruar, ishte arrestuar dhe liruar, i kërcënonte. Duam të na sjellin vajzën

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një krim i rëndë ka tronditur Roskovecin mëngjesin e sotëm, teksa Refit Buzi, 35 vjeç ka vrarë me armë zjarri vjehrrin e tij Kosta Plaka dhe ka plagosur vjehrrën Belere Plaka. Ngjarja ka marrë përmasa akoma dhe më tragjike pasi autori ka rrëmbyer dhe vajzën e tyre, me të cilën kishte pasur një marrëdhënie të ndërlikuar prej vitesh dhe aktualisht ishin ndarë.

Në një prononcim për RTSH të afërmit e viktimës tregojnë se çfarë ndodhi ditën e sotme, teksa e cilësojnë një ngjarje të paralajmëruar pasi Refit Buzi i kishte kërcënuar disa herë dhe madje disa muaj më parë i kishte dalë vajzës me armë në Tiranë.

Nipi i 57-vjeçarit që mbeti i vrarë tregon se kishte dëgjuar krismën e parë në 5 të mëngjesit dhe se autori ishte arrestuar disa herë nga policia, por ishte lënë sërish i lirë.  

“Dëgjova krisma në orën 5 të mëngjesit. Ishin në gjumë të gjithë. Krismën e parë u çova nga gjumi dhe dola direkt në ballkon, kati i dytë dhe dëgjova zhurmë nga shtëpia e xhaxhait. Pastaj dëgjova krismën e dytë, kishte zhurma. I rashë policisë disa herë, nuk e ngrinin. Kjo ngjarje është e paralajmëruar disa herë. Është kapur disa herë ky person. Policia kap, prokuroria nxirr, policia kap, prokuroria nxirr, urdhëro sot është një ngjarje e rëndë. Nusja e xhaxhait është në spital, nuk e dimë si është gjendja, ka rrëmbyer dhe çupën. Vajza është 23-24 vjeçe. Nuk kanë qenë të divorcuar. Kanë ndodhur konflikte, kanë qenë në dijeni, për punën e vajzës. Kanë pasur probleme që kur kanë qenë të lidhur, janë ndarë. Është e paralajmëruar disa herë. Ka pasur dhe kërcënime. Ka kërcënuar vajzën me armë dhe në Tiranë. E kanë kapur policia, pas një muaji e kanë nxjerrë”, tha nipi i viktimës.

Mes tronditjes së fortë vëllai i viktimës tregon se marrëdhënia mes mbesës së tij dhe autorit kishte vite që vijonte e njëjtë.  

“Vetëm zhurmë dhe përpiqeshin brenda. Ne nuk shkonim dot se nuk kishim armë. Ai thoshte hajdeni se do ju vras të gjithë. Ku do veja. Ne merrnim policinë, policia ka ardhur pas një ore. E ka marrë çuni. Doli nga mbrapa shtëpisë, kishte qenë makina. Mori çupën dhe iku. Kishin probleme, tre herë është arrestuar është futur brenda dhe tre herë ka dalë. Vajti në Tiranë para ca muajsh me armë, a lodër se di, e futën brenda, e nxorën prapë. Këtu ishte në arrest shtëpie se gjithmonë kërcënonte, ata nuk e futën brenda. I thoshte vajzës do vish tek unë, pa mua nuk e bën dot jetën i thoshte…do ju vras të gjithëve. Po bën kohë kjo punë. Vajta brenda, vëllai shtrirë atje, kunata andej”, tha vëllai i 57-vjeçarit Kosta Plaka.         

Edhe kunata e viktimës, Flora Plaka tha se kanë frikë për jetën e vajzës, të cilën e ka rrëmbyer 35-vjeçari pas krimit.

“I trembemi dhe një ngjarje tjetër se e ka marrë, se ku e ka çuar nuk e di. I dhunshëm ka qenë ai. Kanë bashkëjetuar para disa vitesh, kishin kohë të ndarë. Vajza ishte studente për infermiere. Ndenji ca kohë në burg, pastaj arrest shtëpie. Ai arrest shtëpie, dilte gjithnjë. Vajza  ndihej e frikësuar, gjithnjë me kërcënime. Meraku më i madh vajza. Sa më shpejt ta kapin që të na sjellin vajzën”, tha e afërmja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme