Vrasja në Roskovec, forcat RENEA drejt Fierit për kapjen e 35-vjeçarit. Del fotoja e autorit

Aktualitet | 3 muaj më parë

Forca të shumta policie janë angazhuar për kapjen e autorit të vrasjes së 58-vjeçarit Kosta Plaka dhe plagosjes së ish-vjehrrës, i cili pas krimit rrëmbeu dhe ish-partneren e tij, por pas negociatave me policinë e ka lënë të lirë.

Gazetarja Flutura Tota raportoi për RTSH se në Fier kanë shkuar dhe forcat RENEA. Sipas burimeve forcat RENEA janë autorizuar nga Policia e Shtetit për kapjen e autorit, 35-vjeçarit Refit Buzi, i cili është arratisur prej orëve të para të mëngjesit, menjëherë pas krimit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku autori i dyshuar Refit Buzi qëlloi me armë zjarri pas një konflikti në banesën e familjes Plaka. Pas rreth 4 orësh nga krimi, policia arriti ta bindë që të lërë të lirë ish-partneren e tij që e mori peng.

Nga dëshmitë e familjarëve mësohet se prej kohësh çifti kishte një marrëdhënie të komplikuar me bashkime e ndarje, pasi 35-vjeçari i kërcënonte vazhdimisht si vajzën ashtu dhe prindërit e saj. Madje ai ishte arrestuar disa herë, por sërish ishte lënë i lirë. 55-vjeçarja Belere Plaka ndodhet në spital pas plagëve të marra në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar, i cili është lokalizuar dhe po punojnë për kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. Plaka, duke marrë me vete edhe armën e gjahut. Teksa ndodhet i rrethuar nga policia, 35-vjeçari është bindur që të lërë të lirë ish-partneren.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme