Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 6 gusht, Haxhiu apelon për marrëveshje politike

Albulena Haxhiu, ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, ka bërë të ditur se më 6 gusht, në orën 10:00, do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu u ka bërë thirrje partive politike që të intensifikojnë diskutimet për arritjen e një marrëveshje, në mënyrë që të hapet rruga për formimin e institucioneve.
Ajo theksoi se lidhja kushtetuese ndërmjet konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit e ka bërë të kujdesshme në marrjen e vendimit për thirrjen e seancës.
“Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politik për çështjen e presidentit, kam vendosur që të mos e thërras me ngut seancën konstituive, por të shfrytëzoj afatin për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme. Seanca konstituive do të mbahet më 6 gusht në orën 10:00. Deri atëherë mbetet detyrim i subjekteve politike që të vazhdojnë dialogun,” u shpreh Haxhiu.
Ajo nënvizoi se shkuarja në zgjedhje duhet të evitohet, duke i ftuar partitë të tregojnë përgjegjësi politike dhe institucionale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




