Operacioni “Hideaway” në Tiranë, arrestohet një 16-vjeçar me mbi 300 doza kokainë dhe kanabis
Një 16-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në doza, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hideaway”.
Sipas Policisë së Tiranës, operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një rast të shpërndarjes së drogës.
Gjatë kontrollit fizik ndaj të miturit dhe në vendin ku ai u konstatua, në rrugën “Jordan Misja”, uniformat blu sekuestruan mbi 300 doza të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe cannabis sativa, të përgatitura për shitje.
Po ashtu, u sekuestruan një shumë parash në lekë dhe euro, e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, si edhe dy telefona celularë.
16-vjeçari akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




