Roskovec/Vetëvritet pas negociatave me RENEA-n autori i vrasjes së dyfishtë dhe pengmarrjes, lirohet e padëmtuar e reja

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ka përfunduar në mënyrë tragjike pengmarrja e ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Refit Buzi, 35 vjeç, është vetëvrarë me armë gjahu brenda automjetit të tij, pasi refuzoi të dorëzohej tek forcat e rendit.

Ngjarja e rëndë nisi gjatë orëve të para të mëngjesit, kur 35-vjeçari vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng të renë, shtetasen R. P.

Ndërkaq, falë veprimeve të shpejta të strukturave të Policisë, u bë i mundur lirimi i vajzës së marrë peng.

Menjëherë pas sigurimit të jetës së saj, ekipi negociator i repartit special RENEA, bashkë me policinë e Fierit dhe nën drejtimin e Prokurorit, nisi bisedimet intensive me autorin. Por pavarësisht negociatave të gjata për t’u dorëzuar, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve dhe rreth orës 16:35, ai dyshohet se ka shkrepur armën e gjahut drejt vetes brenda mjetit, duke mbetur i vdekur në vend.

Është rënduar bilanci i ngjarjes së rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Bejlere Plaka, e cila mbeti e plagosur rëndë me armë gjahu nga Refit Buzi, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Ajo u dërgua fillimisht në spital në gjendje të rëndë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti të mbijetonte. Nga e njëjta ngjarje humbi jetën edhe bashkëshorti i saj, Kosta Plaku, i cili u qëllua për vdekje me armë gjahu.

  • Aktualisht, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme procedurale në vendngjarje për të dokumentuar plotësisht rrethanat, dinamikën dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

    Njoftimi i plotë:

    Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:

    Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

    Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.

    Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme