Ministri i Brendshëm i Kosovës dhe drejtori i Inteligjencës vizitojnë vendin ku dyshohet për varrezë masive në Zubin Potok

Kosovë | 2 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar këtë të martë fshatin Kalludër e Vogël në Zubin Potok, ku po vijojnë gërmimet në një lokacion ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive.

Sipas autoriteteve, në vendngjarje janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Pas vizitës, ministri Sveçla deklaroi se zbulimi i lokacionit është rezultat i punës intensive të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit me qytetarët.

“Pas një pune intensive të institucioneve të sigurisë, por edhe bashkëpunimit me qytetarët, kemi zbuluar një varrezë masive me mbetje të qytetarëve tanë. Puna intensive po vazhdon në disa drejtime, si në aspektin e gërmimeve ashtu edhe në atë hetimor, për t’i zbuluar të gjithë ata që janë fajtorë dhe përgjegjës. Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit të personit të zhdukur”, u shpreh Sveçla.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, si dhe për vënien para drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për këto krime.

Gërmimet në Kalludër të Vogël po zhvillohen nga ekipet kompetente, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e viktimave dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës arrestoi dy persona të dyshuar për përfshirje në zhdukjen e 23 intelektualëve nga Mitrovica gjatë luftës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme