IKKL publikon raportin: Mbi 12 mijë viktima të dokumentuara gjatë luftës në Kosovë

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar raportin e tij për viktimat e luftës, ku dokumentohen 12.230 persona të vrarë ose të zhdukur gjatë periudhës 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.
Gjatë prezantimit të raportit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se mes viktimave janë 1.047 fëmijë të vrarë, ndërsa 94 fëmijë të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të luftës. Sipas tij, ende nuk dihet fati i rreth 100 fëmijëve të zhdukur.
Kurti tha se vetëm gjatë periudhës mars-qershor 1999 janë vrarë rreth 9 mijë persona, ndërsa theksoi se dokumentimi i krimeve është i domosdoshëm për kujtesën historike, drejtësinë dhe paqen e qëndrueshme.
“Pa dokumentim nuk ka kujtesë, drejtësi dhe paqe të qëndrueshme”, deklaroi Kurti, duke u bërë thirrje qytetarëve që posedojnë informacione të bashkëpunojnë me institutin për plotësimin e të dhënave.
Kryeministri në detyrë kritikoi Serbinë për moszbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, si dhe për moshapjen e arkivave ushtarake që, sipas tij, mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, sqaroi se raporti nuk përfshin 267 raste të listave të mëparshme, pasi bëhet fjalë për persona të vrarë jashtë territorit të Kosovës. Ai theksoi se ky përjashtim nuk ua mohon statusin e viktimës, por lidhet me kriteret e përcaktuara në raport.
Sipas Hetemit, lista është ende preliminare dhe do të vazhdojë të plotësohet me të dhëna dhe dëshmi të reja. Raporti është hartuar mbi bazën e burimeve institucionale, dëshmive të familjarëve dhe hulumtimeve të institutit, duke u bazuar në parimet e plotësueshmërisë, krahasueshmërisë, gjurmueshmërisë dhe integritetit të të dhënave.
Analiza demografike e raportit tregon se shumica e viktimave kanë qenë meshkuj, ndërsa grupmosha më e prekur ka qenë ajo 18 deri në 50 vjeç. Fëmijët dhe personat mbi 65 vjeç renditen ndër grupet më të cenueshme gjatë konfliktit.
Sipas të dhënave të IKKL-së, zonat më të prekura nga viktimat e luftës kanë qenë rajonet e Gjakovës, Mitrovicës dhe Prishtinës, ndërsa rajoni i Gjilanit rezulton me numrin më të ulët të viktimave. Numri më i madh i humbjeve është regjistruar gjatë vitit 1999, veçanërisht në muajt e parë të atij viti.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




