Zbulim të dhënash sekrete dhe shpërdorim detyre/ GJKKO jep vendimin për ish-oficerin e Antiterrorit, ja me sa vite burg dënohet

Aktualitet | 2 muaj më parë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar ish-oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, me 2 vite e 8 muaj burg, pasi e shpalli fajtor për disa vepra penale, mes tyre korrupsion pasiv, zbulim të akteve sekrete dhe shpërdorim detyre.

Çështja u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti kërkesën për gjykimin e tij për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Me vendimin e dhënë këtë të enjte, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Marinela Osmani dhe Besmir Stroka e shpalli Haxhiajn fajtor për të tre akuzat.

Për secilën vepër penale, gjykata vendosi:

  • 2 vjet burg për “Zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete”;
  • 3 vjet e 6 muaj burg për “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”;
  • 2 vjet e 6 muaj burg për “Shpërdorim detyre”.

Pas bashkimit të dënimeve, gjykata caktoi një dënim unik prej 4 vitesh burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Haxhiaj përfitoi uljen me një të tretën e dënimit dhe u dënua përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burg.

Sipas vendimit, vuajtja e dënimit llogaritet nga 27 nëntori 2025, dita e ndalimit të tij, dhe do të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.

Gjykata vendosi gjithashtu që Igli Haxhiaj të humbasë të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vjet, ndërsa të gjitha shpenzimet e hetimit dhe të procesit gjyqësor do të mbulohen prej tij.

VENDIMI I PLOTË

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë  Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Igli Haxhiaj, i akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve  të drejtësisë”, të parashikuar nga nenet 248, 295/a, paragrafi (3) dhe 319/ç i Kodit Penal.

2. Gjykimi i kësaj ҫështjeje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit,  Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Marinela Osmani dhe Besmir Stroka, me vendimin nr.63, datë 30.07.2026 vendosi: 

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a, paragrafi i 3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale

“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale

“Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet e (gjashtë) muaj burgim. 

4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin e të pandehurit Igli Haxhiaj me një dënim të vetëm prej 4 (katër) vjet burgim. 

5. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, të pandehurit Igli Haxhiaj, i ulet 1/3 e masës së dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

6. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ndalimit më datë 27.11.2025 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

7. Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Igli Haxhiaj i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.

8. Shpenzimet e kryera gjatë fazës së hetimit paraprak dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit Igli Haxhiaj. 

9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme