Lamallari në Berat, inaugurohen ambientet e reja të Drejtorisë Vendore të Policisë: Investim me impakt social

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inauguroi sot ambientet e reja të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë Berat.

Investimi, me vlerë 253 milionë lekë, është realizuar nga qeveria shqiptare dhe është projektuar sipas standardeve bashkëkohore, duke ofruar hapësira moderne dhe dinjitoze për punonjësit e Policisë dhe qytetarët.

Ministri Lamallari theksoi se ky investim shkon përtej përmirësimit të infrastrukturës, duke synuar rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe përmirësimin e kushteve të punës për efektivët.

“Janë ambiente absolutisht bashkëkohore, një investim i qeverisë shqiptare që ofron komoditet dhe dinjitet për punonjësit e Policisë së Shtetit. Por theksi ynë mbetet tek bashkëpunimi me qytetarët dhe trajtimi i tyre me etikë, mirësjellje dhe respekt në çdo shërbim që marrin”, – u shpreh ministri Lamallari.

Ai nënvizoi se ambientet e reja të pritjes, shoqërimit dhe intervistimit të të miturve janë ndërtuar në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke marrë parasysh edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit.

Lamallari e cilësoi investimin si një hap me impakt të madh social, duke theksuar se qëllimi kryesor është forcimi i besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.

“Ky është një investim me impakt të madh social. Në fund të ditës, gjithçka bëhet për t’u garantuar qytetarëve një trajtim sa më dinjitoz dhe një shërbim sa më cilësor. Synimi ynë është të forcojmë besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, sepse siguria ndërtohet përmes bashkëpunimit”, – deklaroi ai.

Ministri vlerësoi situatën e sigurisë në qarkun e Beratit, duke e cilësuar si një nga zonat më të qeta dhe të sigurta në vend, dhe theksoi rëndësinë e sigurisë për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

  • “Turizmi zhvillohet kur kemi më shumë siguri, më shumë bashkëpunim dhe më shumë besim të qytetarëve te Policia e Shtetit. Kjo është prioriteti ynë”, – tha Lamallari.

    Gjatë takimit u diskutuan edhe masat për sezonin turistik veror, përfshirë zbatimin e ndryshimeve në udhëzimin e përbashkët për menaxhimin e zhurmave.

    I pyetur nga gazetarët mbi lajmet e publikuara në disa portale, sipas të cilave ai kishte dhënë dorëheqjen, ministri Lamallari i hodhi poshtë këto pretendime.

    “Unë nuk merrem me portalet, unë merrem vetëm me punë konkrete. Ky takim ku jemi sot është pjesë e punës së qeverisë shqiptare, ku edhe unë bëj pjesë,” u përgjigj ministri.

    Ai shtoi se qeveria ka përmbyllur një cikël të rëndësishëm investimesh në infrastrukturën e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin.

    Lamallari shtoi se qeveria ka përfunduar një cikël të rëndësishëm investimesh në infrastrukturën e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, duke e konsideruar këtë si një prioritet të veçantë.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme