Inaugurohet Drejtoria e Re Vendore e Policisë së Beratit/ Hita: Investim për siguri më të lartë dhe shërbim cilësor

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita e ka cilësuar inaugurimin e ambienteve e reja të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës së punonjësve të Policisë dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.
Në prononcimin e tij për mediat pas ceremonisë, drejtori Hita theksoi se ambientet moderne do të ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë në qarkun e Beratit.
“Ky është një investim shumë i rëndësishëm, i cili, përtej përmirësimit të kushteve të punës për punonjësit e Policisë së Shtetit, do t’u shërbejë drejtpërdrejt edhe qytetarëve të Beratit dhe të gjithë qarkut, duke u ofruar një shërbim edhe më cilësor.
Këto ambiente moderne, të ndërthurura me profesionalizmin, etikën dhe sjelljen korrekte të punonjësve të Policisë ndaj qytetarëve, do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në forcimin e sigurisë, si për banorët e këtij qarku, ashtu edhe për turistët që vizitojnë qytetin e Beratit”, tha Hita.
Gjatë takimit me gazetarët, Drejtori i Përgjithshëm iu përgjigj edhe një pyetjeje në lidhje me renditjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat sipas sondazheve, ku ajo del e para për rendin dhe qetësinë.
Hita vlerësoi punën e strukturave lokale, duke nënvizuar se Berati renditet ndër drejtoritë me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend, falë numrit shumë të ulët të krimeve të rënda.

Megjithatë, ai shtoi se sukseset e arritura nuk çojnë në ulje vigjilence.
“Ashtu si Drejtoria Vendore e Policisë Berat, edhe drejtoritë e tjera vendore punojnë çdo ditë për të garantuar sigurinë dhe për të përmirësuar parametrat e rendit publik.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se, për shkak të këtij niveli të ulët, ne do të ulim vëmendjen ndaj fenomeneve kriminale”, deklaroi ai.
Drejtori Hita bëri të ditur se gjatë takimit të sotëm u diskutuan edhe problematika që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, si shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kultivimi i bimëve narkotike.
“Këto problematika do të jenë në fokus të punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ashtu si edhe i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, me synim goditjen e çdo veprimtarie kriminale dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët”, theksoi Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




