Gjendet një tjetër varr masiv në Zubin-Potok, Zveçla: Serbia refuzon të japë informacione për personat e zhdukur me dhunë

Kosovë | 2 muaj më parë

Një tjetër varr masiv të viktimave të luftës në Kosovë është zbuluar në fshatin Jabukë të komunës së Zubin-Potokut. Lajmi është bërë me dije nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sipas tij, zbulimi vjen vetëm pak ditë pasi në fshatin Kalludër të së njëjtës komunë u gjet një tjetër varr masiv, ku kërkimet dhe gjurmimet ende po vazhdojnë.

“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Falënderoj Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve”, shkruan në rrjetin social Facebook, Sveçla.

Në reagimin e tij, ministri akuzoi Serbinë se vazhdon të refuzojë bashkëpunimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje. Ky shtet refuzon të japë informacione për personat e zhdukur me dhunë, ndërsa kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve”, deklaroi ai teksa theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimet për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, si dhe për vënien para drejtësisë të përgjegjësve për krimet e luftës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme