Takimi me Albin Kurtin, Abdixhiku: Jemi shumë larg marrëveshjes, Kuvendi duhet të konstituohet sot

Kosovë | 2 muaj më parë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi të premten pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se partitë mbeten shumë larg një marrëveshjeje politike dhe se nuk ka asnjë arsye për vonimin e konstituimit të Kuvendit.

Sot duhet të ketë seancë dhe duhet të konstituohet Kuvendi. Nuk duhet të futemi në paqartësi kushtetuese”, theksoi Abdixhiku, duke nënvizuar se vendi gjendet në kufijtë e afatit kushtetues.

Sipas tij, përgjegjësia për sigurimin e rrjedhës normale të institucioneve i takon partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje. Ai shtoi se sa më shumë që vonohet procesi, aq më e vogël bëhet mundësia për arritjen e një marrëveshjeje.

“Sa më shumë që po vonohemi, natyrisht dhe marrëveshja bëhet më pak e mundur. Nuk kam lajme të reja, por mund t’ju them se jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale dhe nuk pres që të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive politike”, deklaroi Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja e konsideron të domosdoshme ruajtjen e balancës institucionale, pa të cilën nuk mund të ketë marrëveshje të qëndrueshme politike. Sipas tij, nëse pozicionet mbeten të njëjta me ato të dhjetorit, atëherë përfundimi do të jetë i njëjtë.

Abdixhiku tha se LDK-ja ka hyrë në proces me vullnet për të gjetur zgjidhje, por paralajmëroi se tejkalimi i afateve kushtetuese mund të çojë vendin në zgjedhje të reja.

Qëllimi im dhe i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja. Pra jo të merremi kush kë po e mund, kush kë po e mashtron, kush kë po e vonon. Çështja është t’i japim Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë institucionet e reja, por në këtë pikë, me keqardhje të madhe, po them se jemi praktikisht në një rrugë që s’zgjedh, nuk jep zgjidhje afatgjate”, nënvizoi ai.

Pengesa kryesore, sipas kryetarit të LDK-së, mbetet çështja e presidentit. Ai theksoi se LDK-ja kërkon që propozimi për president të vijë nga partia e tij, ndërsa emrat të diskutohen me partnerin.

LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerin tonë. Dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë.

Edhe njëherë, pozicionimi ose oferta e dhjetorit, të cilën tashmë e keni të qartë, që LDK-ja të marrë jo vetëm kryetarin e Kuvendit, por zëvendëskryeministrin dhe disa ministri, nuk qëndron, nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme për të dhënë zgjidhje për krizën në të cilën jemi tani.

Prandaj s’mund ta trajtojmë me seriozitet, s’mund ta pranojmë si të tillë. Në qoftë se e doni LDK-në në qeverisje, në institucione, atëherë LDK-ja duhet të jetë e përfaqësuar”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se posti i kryeministrit i takon partisë së parë, në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Sipas tij, nëse arrihet dakordimi që propozimi për president të vijë nga LDK-ja, atëherë emri mund të caktohet bashkërisht me LVV-në.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme