Incidenti/ Delegacioni serb braktis sallën gjatë raportimit të Kosovës për “Prishtina 2030”

Kosovë | 2 muaj më parë

Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka raportuar në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) për ecurinë e përgatitjeve të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Gjatë prezantimit para Asamblesë, Gashani paraqiti punën e bërë deri më tani dhe progresin e arritur në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij eventi të madh sportiv ndërkombëtar.

Përmes materialeve vizuale, statistikave dhe të dhënave konkrete, ai prezantoi para përfaqësuesve të vendeve anëtare hapat e ndërmarrë nga Kosova në funksion të organizimit të Lojërave.

Raportimi i Kosovës ishte pjesë e agjendës së rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, ku vendet nikoqire raportojnë mbi përgatitjet dhe zhvillimet drejt edicioneve të ardhshme të Lojërave Mesdhetare.

Megjithatë, prezantimi i delegacionit të Kosovës u shoqërua me një incident diplomatik. Delegacioni i Serbisë, në shenjë proteste dhe kundërshtimi, u largua nga salla gjatë kohës kur po prezantoheshin përgatitjet për Prishtina 2030.

Pavarësisht këtij veprimi, prezantimi i Kosovës vazhdoi dhe delegacioni që po punon për Prishtina 2030 paraqiti para Asamblesë progresin e arritur deri më tani.

Kosova synon që në katër vitet e ardhshme të përmbyllë përgatitjet infrastrukturore dhe organizative për të qenë e gatshme për pritjen e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

KosovaPress

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme