“Të jetoj i lirë në botën e lirë” – Ish-presidenti Hashim Thaçi flet nga Haga për jetën e tij, porosinë që ka për opozitën dhe qëndrimin ndaj një vizite të mundshme nga Albin Kurti

Kosovë | 2 muaj më parë

Në intervistën ekskluzive të realizuar me shkrim për emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Kjo është intervista e tij e fundit para shpalljes së aktgjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i cili pritet më 16 shtator, në orën 10:00.

Ç’të ka marrë malli më së shumti? Thaçi: Të jetoj i lirë në botën e lirë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për raportin me familjen, pamundësinë për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij dhe të ardhmen e tij politike, në intervistën ekskluzive për Debat Plus.

Duke folur për familjen, Thaçi ka thënë se qëndrimi i tij në Hagë është sakrificë edhe për bashkëshorten dhe djalin e tij.
“Është sakrificë jo e lehtë edhe për ta. Por kalon edhe kjo. Lumja dhe Endriti, tash e gjashtë vite nuk e kanë humbur asnjë vizitë të planifikuar. E njëjta është edhe me rrethin më të gjerë familjar”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka treguar se më herët e kanë vizituar edhe prindërit, por gjendja shëndetësore e nënës së tij tashmë e ka bërë të pamundur udhëtimin.
Thaçi është pyetur edhe për momentin kur nuk kishte mundur të ishte i pranishëm në varrimin e babait të tij.
“Sikur nuk ia kisha mbajtur fjalën, sikur e kisha braktisur”, është shprehur Thaçi për atë moment.

I pyetur për të ardhmen e tij politike, ish-presidenti nuk ka dhënë një përgjigje që e lidh me ndonjë subjekt apo funksion konkret.
“Jetën dhe shpirtin tim nuk do ta fus në korniza të ngushta ideologjike, partiake, gjeografike apo administrative”, ka deklaruar ai.
Në fund, Thaçi është pyetur se për çfarë e ka marrë malli më së shumti gjatë qëndrimit në Hagë.

Përgjigjja e tij ka qenë e shkurtër. “Të jetoj i lirë në botën e lirë.”

Thaçi me porosi nga Haga: Pushtet e opozitë në një tryezë, të arrijnë pajtim për çështje strategjike
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë.
Në intervistën e tij, Thaçi ka përmendur si prioritete sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje. Ai ka shtuar se integrimi në NATO dhe BE, raportet speciale me SHBA-në dhe Shqipërinë, si dhe dialogu me Serbinë, duhet të jenë pjesë e zotimeve të përbashkëta.

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj.”

Sipas Kosovapress, kjo thirrje vjen në një kohë kur Kosova ndodhet në ngërç institucional, me vështirësi për funksionalizimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa vendi vazhdon të përballet me krizën politike të lidhur edhe me zgjedhjen e presidentit.

Raporti Thaçi- Kurtin. A do e priste nëse do ta vizitonte në Hagë?

Thaçi ka shmangur komentet për qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së: “Nuk deklarohem për situata hipotetike.”

I pyetur për faktin që Kurti nuk ka vizituar asnjërin prej tyre në Hagë, ai ka thënë: “Nuk dua të merrem me disponimet apo sjelljet e të tjerëve.”

Edhe për qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara, Thaçi ka refuzuar të japë koment: “Nuk kam koment.”

Në sallën e gjyqit, ai ka vënë në dukje praninë e shumë njerëzve, përfshirë ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, “Kishte shumë njerëz në galeri. Vëmendjen e kisha tek familjarët që ishin ulur në një hapësirë më të dukshme. U përshëndeta nga distanca me të gjithë.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme