Gucati kritikon qeverinë Kurti: Asnjë kërkesë e veteranëve nuk është realizuar

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka kritikuar qeverinë Kurti për siç tha, mungesën e bashkëpunimit dhe mosrealizimin e kërkesave të veteranëve të luftës.
Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) dhe OVL-UÇK-së, Gucati tha se organizata që drejton nuk ka pasur takime apo diskutime me qeverinë në detyrë.
Ai u ndal veçanërisht te çështja e trajtimit shëndetësor të veteranëve, duke thënë se aktualisht 67 prej tyre janë të prekur nga kanceri, ndërsa 24 po marrin trajtim në Turqi. Sipas tij, një pjesë e veteranëve po trajtohen në vende të tjera evropiane dhe në Kosovë.
Gucati tha se institucionet e Kosovës kanë detyrim ligjor të kujdesen për kategoritë e dala nga lufta, përfshirë veteranët dhe invalidët e luftës.
Në kuadër të memorandumit të nënshkruar, OHTK-ja ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur OVL-UÇK-në në fushën e hotelierisë dhe turizmit.
Kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva, tha se qëllimi i marrëveshjes është që, brenda mundësive të odës, t’u ofrohet mbështetje veteranëve dhe aktiviteteve të tyre.
Ndërkohë, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, bëri të ditur se javën e ardhshme do të mblidhet kryesia e organizatës, ku pritet të diskutohen hapat e mëtejmë lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale.
Syla tha se veteranët do të diskutojnë për veprimet që do të ndërmarrin në prag të vendimmarrjes së Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së./Kosovapress/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




