Humbja e parakohshme e Hayden Panettiere rikthen alarmin, pse yjet fëmijë bien pre e varësisë në Hollivud?

Ndarja nga jeta e aktores Hayden Panettiere në moshën 36-vjeçare ka rikthyer vëmendjen publike te presionet e jashtëzakonshme, aksesi i pakufizuar te substancat e ndaluara dhe traumat psikologjike që shoqërojnë fëmijët që rriten nën dritat e prozhektorëve të Hollivudit.
Panettiere, e cila u bë e njohur ndërkombëtarisht që në adoleshencë me rolin e saj në serialin “Heroes”, pati zbuluar në kujtimet e saj të publikuara pak para vdekjes se takimi i saj i parë me barnat stimuluese ndodhi në moshën 16-vjeçare, kur asaj i u dha një pilulë për të përballuar lodhjen gjatë një eventi në tapetin e kuq.
Përvojat e tilla nuk janë të izoluara. Ekspertët e mjekësisë dhe rehabilitimit theksojnë se fëmijët aktorë ekspozohen ndaj realiteteve të të rriturve në një fazë kritike të zhvillimit të trurit, pa pasur mekanizmat mbrojtës apo pjekurinë emocionalisht të nevojshme.
Lucas Trautman, drejtor mjekësor i qendrës së trajtimit “Oxford” në Misisipi, sqaron faktorët që nxisin këtë fenomen:
“Ata u ekspozuan gjatë një kohe zhvillimore ndaj shumë aspekteve të jetës si të rritur që pjesa tjetër prej nesh nuk i kishim — përfshirë përvojat traumatike — dhe kjo u jep atyre faktorë unikë rreziku për varësi.”
Përveç mbingarkesës profesionale dhe shqyrtimit mediatik pa ndërprerje, shumë yje fëmijë përballen edhe me raporte të ndërlikuara me prindërit e tyre, të cilët shpesh veprojnë edhe si menaxherë financiarë, duke zbehur kufijtë mes kujdesit prindëror dhe interesit si biznes.
“Që nga fillimi, e gjithë jeta e saj ishte e përqendruar në vëmendjen intensive të publikut dhe kjo nuk i dha Hayden shumë hapësirë për t’u marrë me shëndetin e saj mendor në mënyrë private.”, tha Trautman.
Ngjarja e fundit shënjon një tjetër humbje tragjike në radhët e artistëve që e nisën karrierën në fëmijëri, duke nxitur thirrje nga komuniteti artistik për reformimin e mbrojtjes së të miturve në industrinë e argëtimit.
Yje të tjerë fëmijë kanë folur për ekspozimin ndaj drogave në një moshë të re, përfshirë Drew Barrymore, e cila shkoi në qendër rehabilitimi në moshën 12 vjeç, dhe Demi Lovato, një yll i Disney Channel.
“Pata një aksident me makinë dhe më përshkruan opiate. Mamaja ime nuk mendonte se do t’i duhej t’i mbante opiatet e vajzës së saj 13-vjeçare, por unë tashmë po pija në atë pikë”, tha këngëtarja për podcastin Call Her Daddy në vitin 2022.
Aktorja Michelle Rodriguez, e cila dikur prezantoi Çmimet Botërore të Muzikës me Panettiere, tha këtë javë se numri i aktorëve fëmijë që kishin ndërruar jetë në moshë të re ishte i çuditshëm.
“Thjesht nuk mund ta duroj sa shumë të rinj po na lënë kohët e fundit. Është dekurajuese dhe më bën të mendoj: ‘Çfarë po ndodh?’ Nuk është normale”, tha ajo për Variety.
Vdekja e Panettiere vjen vetëm një vit pas vdekjes së Michelle Trachtenberg dhe muaj pas vdekjes së Daveigh Chase, dy yjeve fëmijë që luftuan me drogën dhe alkoolin.
“Ne nuk kemi pothuajse asnjë gjuhë për atë që ndodh kur stresi, shqyrtimi, refuzimi, presioni i të rriturve dhe rënia e privatësisë bëhen arkitektura e një fëmijërie”, shkroi ajo.
Faktorët kryesorë të rrezikut për yjet fëmijë
- Akses i lehtë te substancat narkotike ose barnat me recetë pa mbikëqyrje rigoroze prindërore.
- Rënia e vëmendjes mediatike apo përfundimi i një projekti krijon boshllëk emocional që shpesh tentohet të mbushet me vetëmjekim.
- Presioni i vazhdueshëm mediatik i pengon proceset e rehabilitimit privat dhe shërimit psikologjik.
- Shkrirja e rolit të prindit me atë të menaxherit financiar rrit presionin për të performuar me çdo kusht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




