Ndahet nga jeta Dolly Parton, ikona e muzikës country

Kulturë | 2 muaj më parë

Dolly Parton, një nga figurat më të njohura dhe më të dashura të muzikës country, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga familjarët përmes llogarisë së saj zyrtare në Instagram.

Parton la pas një karrierë prej më shumë se gjashtë dekadash, gjatë së cilës u shqua si këngëtare, kompozitore, aktore dhe producente. Ajo u bë një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës country, ndërsa arriti sukses të jashtëzakonshëm edhe në muzikën pop, film dhe televizion.

“Ikona globale dhe humanitare, Dolly Parton, e njohur në botë si këngëtare, kantautore, filantrope, aktore, dramaturge dhe autore e dashur, ndërroi jetë paqësisht sot në Nashville, Tennessee. Ajo ishte 80 vjeçe. Një jetë me gurë të çmuar që shkëlqente mjaftueshëm për t’u parë nga e gjithë bota, Dolly do të qëndrojë përgjithmonë si frymëzim jo vetëm përmes muzikës së saj të përjetshme dhe kompozimeve të shumta, por edhe përmes zgjuarsisë, ngrohtësisë dhe mirësisë që na bënë të ndiheshim të gjithë si familje. Trashëgimia e Dolly Parton është ajo e dashurisë, dhembshurisë dhe qëndrueshmërisë. Me një karrierë shtatëdekadëshe, ajo frymëzoi breza të shumtë artistësh dhe fansash me muzikën e saj dhe një përkushtim të palëkundur për ta bërë botën një vend më të mirë”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

Disa nga këngët e saj më të famshme si “Jolene”, apo “I Will Always Love You”, u bë hit botëror edhe përmes interpretimit të Whitney Houston në vitin 1992. Kënga, e shkruar nga Parton si një lamtumirë për partnerin e saj të hershëm muzikor Porter Wagoner, u kthye në një prej baladave më të njohura të të gjitha kohërave.

Parton u bë gjithashtu e njohur për rolet e saj në filma si “9 to 5”, “The Best Little Whorehouse in Texas” dhe “Steel Magnolias”. Për “9 to 5” ajo mori edhe një nominim për Oscar për këngën origjinale.

Legjenda e muzikës country shiti më shumë se 100 milionë disqe në mbarë botën dhe shkroi mbi 3,000 këngë.

  • E lindur më 19 janar 1946 në Tennessee, në një familje të varfër me 12 fëmijë, Parton e shndërroi përvojën e fëmijërisë në frymëzim për disa prej këngëve të saj më të njohura. Ajo nisi të performonte që në moshë të re dhe u zhvendos në Nashville menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme.

    Gjatë karrierës, ajo fitoi 9 Grammy, u përfshi në Country Music Hall of Fame, Nashville Songwriters Hall of Fame, Songwriters Hall of Fame dhe Rock & Roll Hall of Fame. Në vitin 2022, Parton u bë pjesë e këtij të fundit, duke e shoqëruar nderimin me albumin “Rockstar”, të publikuar një vit më vonë.

    Përveç muzikës, Parton ishte e njohur edhe për aktivitetin e saj humanitar. Përmes Dolly Parton’s Imagination Library dhe fondacionit të saj, ajo mbështeti prej vitesh nisma për edukimin dhe nxitjen e leximit te fëmijët.

    Në vitet e fundit, problemet shëndetësore e detyruan të anulonte disa angazhime publike.

    Me zërin e saj të veçantë, stilin karakteristik dhe një repertor që kapërceu kufijtë e muzikës country, Dolly Parton lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në muzikë, film dhe kulturën amerikane.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme