Edicioni i 17-të i Shkodra Jazz Festival, finalja në sheshin përpara Bashkisë Shkodër

Kulturë | 2 muaj më parë

Edicioni i 17-të i Shkodra Jazz Festival ka konfirmuar edhe një herë traditën e këtij eventi si një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore në vend.

Për tre javë me radhë, publiku ka ndjekur një program të pasur me koncerte, performanca live dhe bashkëpunime mes artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke sjellë në skenë stile dhe interpretime të ndryshme të muzikës jazz.

“Ky është edicioni i 17-të i Shkodër Jazz. Kishte shumë evente, duke filluar nga Shkodra dhe u përmbyll në Tiranë dhe më pas filluan koncertet në Shkodër. Gjatë këtyre tri javëve kishim pesë masterklasa dyjavore, të cilat u zhvilluan në Shkodër”, u shpreh Florian Jakaj, Drejtor i Shkodra Jazz Festival .

Mbrëmja e së shtunës shënon edhe natën finale të festivalit. Sheshi përpara Bashkisë së Shkodrës do të kthehet në një skenë të hapur.

“Koncertet e Shkodër Jazz u zhvilluan në ambientet e Oso Kukës, në Teatrin Historik “Migjeni”, dhe sot do ta përmbyllim në sheshin para Bashkisë, duke sjellë dy artistë shumë të mëdhenj italianë, Tiziana Capellino Trio, një pianiste dhe këngëtare njëkohësisht, si dhe Mario Marzi, me një kuartet harqesh, që do të performojë në shesh për publikun”, tha ai.

Ky festival së bashku me akademinë, prej vitesh promovojnë muzikën jazz duke e vendosur Shkodrën në hartën e festivaleve ndërkombëtare, për të lënë hapur rrugën për organizimin e edicionit të ardhshëm.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme