Jep dorëheqjen ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala

Politikë | 2 muaj më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas rreth një viti në krye të këtij dikasteri.

Sala e ka paraqitur dorëheqjen gjatë mbledhjes së qeverisë. Më herët burimet për gazetaren e RTSH, Sonila Mlloja, thanë se vendimi nuk ka qenë i momentit, por është planifikuar më herët. Largimi nga detyra lidhet me angazhime të reja ndërkombëtare në fushën e ekspertizës së saj.

Vetë Evis Sala e ka konfirmuar dorëheqjen përmes një videomesazhi, ku ka bërë të ditur se ka pranuar disa angazhime ndërkombëtare në fushën e onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.

Ajo vlerësoi punën e bërë gjatë vitit të fundit në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se disa prej ndryshimeve janë tashmë të dukshme, ndërsa të tjera sapo kanë nisur.

“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion. Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar”, tha ndër të tjera Sala.

Prof. Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në shtator të vitit 2025, në kuadër të qeverisë “Rama 4”.

Sala është një figurë e njohur në fushën e imazherisë onkologjike. Përpara emërimit në qeveri, ajo ka mbajtur pozicionin e Rektorit Themelues të Universitetit Western Balkans, gjatë periudhës 2022–2025.

Ajo ka drejtuar gjithashtu Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën Gemelli dhe ka pasur një karrierë të gjatë akademike e kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar.

Sala është e specializuar në imazherinë onkologjike dhe ka zhvilluar kërkime në përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve tumorale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme