Evis Sala dha dorëheqjen, Klodiana Spahiu propozohet nga Rama për detyrën e Ministres së Shëndetësisë

Kryeministri Edi Rama ka propozuar deputeten Klodiana Spahiu për të marrë detyrën e ministres së Shëndetësisë, një ditë pasi Evis Sala dha dorëheqjen nga drejtimi i këtij dikasteri.
Evis Sala njoftoi të mërkurën (2 shtator), largimin nga posti i ministres së Shëndetësisë, pas rreth një viti në krye të ministrisë.
Përmes një videomesazhi, Sala bëri të ditur se vendimi për largimin lidhet me angazhime të reja ndërkombëtare në fushën e onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.
Kush është Klodiana Spahiu:
Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dega “Mjekësi e Përgjithshme” në vitin 1997. Më pas, në vitin 1998-2002 është specializuar në fushën e kardiologjisë, në po të njëjtin departament pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Ajo ka kryer një sërë specializimesh ndër vite, si në fushën e kardiologjisë joinvazive: ekokardiografi, PU-EKG, eko-doppler e karotideve, pranë Universitetit Katolik: “Sacro Cuore”, Facolta di Medicina e Chirurgia “Agostino Gemeli”, Romë, Itali.
Në 2003-2004 kreu studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, Departamenti i Lëndëve Paraklinike. Gjatë periudhës tetor 2005 – dhjetor 2005 ka kryer specializim në fushën e kardiologjisë invazive, kateterizimi i zemrës dhe koronarografinë e zemrës, pranë spitalit “Santa Chiara”, Pisa, Itali.
Vite me vonë, 2012-2014 ajo ka përfunduar edhe masterin profesional “për menaxhimin shëndetësor” Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekut në klinikën e parë të kardiologjisë në QSUT. Gjithashtu, ajo ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit gjatë viteve 2003-2009. Më pas është zgjedhur dhe drejtoreshë e këtij spitali. Ajo ka një përvojë të gjatë edhe në fushën e pedagogjisë. Në vitin 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike, Universiteti i Tiranës dhe në 2006 ka qenë pedagoge e jashtme në lëndën e fiziologjisë në Universitetin “UFO”, Tiranë. Viti 2008 dhe në vazhdim – Docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë. Ajo mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




