Kurti takon kongresmenin amerikan, kërkon bazë të përhershme amerikane në Bondsteel

Kosovë | 59 minuta më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se gjatë qëndrimit në New York, është takuar me kongresmenin amerikan George Latimer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çështjet e sigurisë në rajon. Përmes një postimi në Facebook, Kurti sqaron se në fokus të takimit ka qenë zhvillimi ekonomik, përparimi në fushën e sigurisë dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim”, ka shkruar Kurti.

Po ashtu, gjatë bisedimeve dyshja janë ndalur dhe te çështja e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, ku Kryeministri Kurti nënvizoi qëndrimin e qeverisë që Kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane.

“Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”, deklaroi Kurti. Në takim është diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, përfshirë varrezat masive dhe nevojën për qasje në dokumentacionin arkivor të Serbisë.

“Biseduam për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, varrezat masive, rëndësinë e deklasifikimit të dokumentacionit dhe hapjes së arkivave nga Serbia si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera”, tha Kurti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme