Shehu: Investimet strategjike në Kosovë e Shqipëri mund të tejkalojnë 10 miliardë dollarë

Investimet strategjike në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe në rajon, mund të tejkalojnë vlerën prej 10 miliardë dollarë amerikanë, nëse institucionet dhe bizneset janë të gatshme të përgatisin projekte kredibile për investitorët ndërkombëtarë.
Kështu vlerëson themeluesi i Strategic Group, e po ashtu edhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Terrorizimit dhe Ekstremizimit me seli në SHBA, Arianit Shehu, i cili ka thotë se qëllimi i kësaj kompanie është të ndërmjetësojë mes kapitalit ndërkombëtar dhe potencialit ekonomik të Kosovës e Shqipërisë.
Shehu: Strategic Group, urë lidhje midis kapitalit të fuqishëm ndërkombëtar dhe potencialit që Kosova dhe Shqipëria
“Unë kam kaluar diku rreth 25 vite në pozita të shërbimit publik. Edhe duke parë potencialin që e ka Kosova, e ka Shqipëria, e kanë bizneset shqiptare, mirëpo duke parë gjithashtu edhe pengesat që i kemi në zhvillimin dhe ripërtëritjen ekonomike, kam vendosur që të themeloj kompaninë time Strategic Group, që të bëjë një lloj urë lidhje midis kapitalit të fuqishëm ndërkombëtar dhe potencialit që Kosova dhe Shqipëria e kanë në thithjen dhe absorbimin e këtij kapitali”, thotë Shehu.
Ai vlerëson se Kosova ka fuqi punëtore konkurruese në aspektin e kostos, të rinj të arsimuar dhe kushte të favorshme për investitorët.
Shehu: Fuqinë punëtore e kemi ende shumë më të lirë në krahasim me vendet në rajon dhe me Evropë
“Fuqinë punëtore e kemi ende shumë më të lirë në krahasim me vendet në rajon dhe me Evropë. Kushtet preferenciale që qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë i kanë për investitorët janë shumë të favorshme, çmimin e rrymës gjithashtu e kemi të favorshëm në krahasim me vendet e tjera. Gatishmërinë e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për garancione institucionale investitorëve e kemi, rininë e kemi shumë mirë të edukuar, të shkolluar, të zellshme dhe të gatshme për punë. Kështu që të gjithë këta janë indikatorë të suksesit, që më ka shtyrë mua të mendoj si t’i shfrytëzoj të gjitha ato lidhje që i kam ndërtuar për këto 20-25 vite, me krerët institucionalë në mbarë botën, me kryesuesit e qeverive, me zyrat e princave, të mbretërve. Dhe t’i bindim që Kosova dhe Shqipëria janë vende të sigurta dhe të logjikshme për investitorë, që të sjellin kapitalin e tyre ndërkombëtar në zhvillimin e vendit tonë”, thekson Shehu.
Ish drejtori i Lartë i Institutit Kombëtar Demokratik Amerikan në më shumë se 20 shtete, thotë se Kosovës i mungon stabiliteti institucional dhe politik.
“Çka i mungon Kosovës është stabiliteti institucional dhe politik. Ajo është e qartë, na e thonë të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Potencialin që e ka, e ka në agroturizëm, e ka në turizmin në përgjithësi, e ka në bujqësi, e ka në ndërtime të qendrave financiare, dhe në aftësimin e gjeneratës së re, të rinisë sonë, kryesisht në fushën e IT-së dhe të sigurisë kibernetike. Shqipëria përpos këtyre, gjithashtu ka edhe bregdetin shqiptar, i cili është ende i paeksploruar në aspekt të investimeve strategjike dhe të kthimit të Shqipërisë në një qendër me të vërtetë botërore të turizmit”, nënvizon Shehu.
Sipas tij, edhe bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të thellohet përmes marrëveshjeve të reja, përfshirë menaxhimin e përbashkët të fondeve dhe krijimin e sistemeve financiare e të sigurisë.
“E di që qeveritë tona kanë nënshkruar disa marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik, unë gjithashtu kam ligjëruar për më shumë se 10 vite në Universitetin e Filadelfias në marrëdhënie ndërkombëtare, nuk ka asgjë që e pengon sot Kosovën dhe Shqipërinë të nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik, të menaxhimit të përbashkët të fondeve, të krijimit të sistemeve financiare të përbashkëta, të sistemeve të sigurisë të përbashkëta. E di që vullneti ekziston, mirëpo duhet të gjejmë mënyrë si të implementohen ato marrëveshje, dhe të krijohen marrëveshje të reja me korniza të reja ligjore e cila garanton investimet por njëkohësisht edhe i përdor investimet në mënyrën sa më efektive të mundshme. Qëllimi i Strategic Group është të jetë në shërbim të investimeve strategjike për të mirën e qeverive të Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë. Misioni ynë është ta kthejmë Kosovën dhe Shqipërinë në vende ku rinia jonë jo vetëm të mos kërkojë fatin e tyre jashtë kufijve tanë, mirëpo të shpresojmë se gjithçka fillon me ambicie”, potencon Shehu.
Ish-këshilltari i ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, znj.Madeleine Albright, në Instiutin Aspen dhe Këshillin Atlantik, Shehu thotë se procesi për të bindur investitorët nga Arabia Saudite që të investojnë në Kosovë dhe Shqipëri ka zgjatur me javë e muaj. Ai thekson se përvoja e tij shumëvjeçare dhe kontaktet e krijuara në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në vendimin për të vizituar Kosovën dhe Shqipërinë.
“Kemi komunikuar me javë të tëra, me muaj të tërë. Që t’i bindim që Kosova dhe Shqipëria të njihen ashtu siç janë, që të mos analizohen nga lajmet dhe nga ajo çka mund të gjendet në internet. Kontaktet e mia personale që i kam ndërtuar, besimi që e kanë te unë, te puna ime në Lindjen e Mesme për 20 vite, ka qenë me siguri e domosdoshme që të merret vendimi që një zyrtar i lartë i familjes mbretërore saudite të vjen me qëllim të qartë, të investimeve kapitale në ekonomitë tona. Nuk ka qenë e lehtë sepse kundërshtohet shumë nga analizat që zyrat e tyre i bëjnë duke u bazuar në rreziqet që shihen sot nëpër lajme e në internet. Marrëdhënia personale, besimi në punën time, në personalitetin tim, ka bërë që ta marrin vendimin dhe të vijnë. E nga momenti i arritjes në Kosovë dhe në Shqipëri, pa dyshim që qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë qenë në nivel dhe kanë dëshmuar që Kosova dhe Shqipëria me të vërtetë janë ato shtete që unë i kam proklamuar si të sigurta dhe të përshtatshme për investime strategjike”, thotë Shehu.
Ai deklaron se kompanitë e Princit Naif Al Saud janë pjesë e Strategic Group, ndërsa synimi është që kësaj strukture t’i bashkohen edhe investitorë të tjerë ndërkombëtarë.
Sipas tij, fokusi i investimeve do të jetë në Kosovë, Shqipëri dhe bizneset shqiptare në rajon.
“Princi Naif Al Saud, ka një grumbull të kompanive të veta. Të gjitha kompanitë e Princit janë pjesë e Strategic Group-it. Strategic Group-i në këtë moment është një konglomerat ndërkombëtar, jo formal, sepse nuk kemi regjistrim diku. Qëllimi im me Princin është që të vazhdojmë të fusim si pjesë të Strategic Group-it edhe investitorë të tjerë kredibilë e të mëdhenj. Të vazhdojmë të rrisim Strategic Group-in si një nga kompanitë më të fuqishme botërore, që menaxhojnë kapital ndërkombëtar. Qëllimi i Strategic Group, që ta fokusojmë këtë kapital në Kosovë, Shqipëri dhe bizneset shqiptare në trojet shqiptare. Nuk dua t’i anashkalojmë bizneset tona në Preshevë, në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut”, deklaron Shehu.
Shehu ka bërë të ditur se energjia, turizmi dhe infrastruktura strategjike janë fushat kryesore ku priten investimet, ndërsa si një prej projekteve të mundshme ka përmendur edhe riaktivizimin e Qendrës së Skijimit në Brezovicë.
“Besoj fuqishëm që kjo është vetëm fillimi. Nëse arrijmë të prezantojmë projekte ambicioze të detajuara, projekte të qarta, kjo shumë do të shumëfishohet. Jo vetëm nga Princi Naif, por edhe nga personalitete të tjera të larta që unë shpresoj do t’i bashkëngjiten Strategic Group-it. Për momentin, me marrëveshje, të gjitha kompanitë e Princit Naif janë pjesë e një një ndërmarrje që ne po vazhdojmë ta quajmë Strategic Group në nivel ndërkombëtar. Fusha kryesore është energjia, është turizmi, dhe projekte strategjike të infrastrukturës. Unë jam shumë i interesuar të shikojmë të punojmë me qeverinë e Republikës së Kosovës për riaktivizimin e Qendrës së Skijimit në Brezovicë, ndërtimin e ndoshta të qendrave të tjera të skijimit në vende të tjera. Që përpos investimit, gjithashtu e ka përfitimin në zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të punës dhe në angazhimin e kompanive kosovare për t’i implementuar këto investime”, thotë Shehu.
Ai thotë se përfitimi nga këto investime nuk do të ishte vetëm financiar, por do të ndikonte edhe në krijimin e vendeve të reja të punës dhe angazhimin e kompanive vendore në realizimin e projekteve.
Megjithatë, Shehu thekson se nuk mund të përcaktohet paraprakisht se sa nga shuma prej 10 miliardë dollarë amerikanë do të investohet në Kosovë, pasi kjo, sipas tij, varet nga kapaciteti i institucioneve dhe bizneseve për të përgatitur dhe absorbuar investimet.
“Gjithçka varet nga sa është e përgatitur qeveria e Republikës së Kosovës dhe bizneset kosovare të thithin investime kredibile. Dhe njëkohësisht, qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe bizneset shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Domethënë gjithçka do të varet se sa të gatshëm jemi ne si qeveri, si shtet, si biznese, për t’i absorbuar këto fonde. Nëse jemi në gjendje t’i absorbojmë, besoj se fuqishëm do të tejkalohet 10 miliardëshi, sepse do të kemi edhe investitorë të tjerë që do të interesohen për projekte. Tani është koha që ne të jemi të gatshëm si shtet, si biznese të prezantojmë projekte kredibile, që janë të gatshme të thithin investime. Si Strategic, gjithashtu kemi marrëveshje me Bankën Botërore, dhe me Bankën Evropiane, të cilat garantojnë deri në 80 për qind të investimeve kapitale strategjike, nga investitorët me të cilët punon Strategic Group”, thotë Shehu.
Në fund, Shehu foli edhe për sigurinë në Kosovë, duke përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e saj. “Vetëm një falënderim i posaçëm dhe fjalë miradije, kam më shumë se 25 vite në punë aktive në çështje sigurie, anti-terrorit e ekstremizmit në zonat e luftës, dhe dua të përgëzoj policinë tonë. Përkundër vështirësive, pagat e vogla, mungesa e sigurimit shëndetësor që duhet adresuar. Gallup International e cilëson Kosovën si vendin më të sigurt në Evropë, është e arritur shumë e madhe. Ai rezultat nuk arrihet veç duke e dëshiruar, por me punë ditore. Është komenti i parë që mora nga Princi: Në Kosovë dhe Shqipëri mund të ecësh rrugës i pambrojtur, dhe të mos e ndjejnë veten aspak të rrezikuar”, thotë Shehu. /Kosovapress/
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




