Specialja zgjat afatin për apelim, 27 nëntori afati i ri për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Sipas vendimit të Speciales, si mbrojtja ashtu edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë tashmë afat deri më 27 nëntor 2026 për të dorëzuar njoftimin lidhur me hapat që do të ndërmarrin në shkallën e dytë të procesit.
Mbrojtja kishte kërkuar që afati të shtyhej deri më 15 dhjetor 2026, duke e argumentuar kërkesën me gjatësinë dhe kompleksitetin e aktgjykimit të shkallës së parë.
Një tjetër argument i mbrojtjes ishte mungesa e përkthimit të aktgjykimit në gjuhën shqipe, ndërsa të akuzuarit nuk kanë mundësi ta lexojnë aktgjykimin në gjuhën angleze. Sipas mbrojtjes, kjo situatë ka krijuar vështirësi shtesë dhe ka kërkuar angazhimin e burimeve të konsiderueshme për përkthimin e dokumentit. Paneli i Apelit ka udhëzuar gjithashtu Zyrën e Regjistrimit që të raportojë mbi progresin e përkthimit të aktgjykimit të shkallës së parë në gjuhën shqipe dhe kohën e pritshme për përfundimin e tij.
Gjykata ka rikujtuar se parashtresat e dorëzuara në Dhomat e Specializuara duhet të jenë publike, përveç rasteve kur ka arsye të jashtëzakonshme për konfidencialitet. Për këtë arsye, mbrojtjes i është kërkuar që brenda 10 ditësh nga marrja e njoftimit për vendimin të dorëzojë një version publik të redaktuar të kërkesës së saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





