Pas Shqipërisë, von der Leyen sot në Kosovë, në fokus rruga drejt BE-së

Kosovë | 1 orë më parë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vijon sot (1 tetor) turin e saj në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Kosovë, pas qëndrimit në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit për media, takimi me Haxhiun është parashikuar të nisë në orën 12:30, në ambientet e Presidencës së Kosovës. Në qendër të vizitës pritet të jenë perspektiva evropiane e Kosovës, hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetja përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Vizita në Kosovë është pjesë e një turi rajonal të presidentes së Komisionit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Pas Prishtinës, von der Leyen pritet të udhëtojë drejt Podgoricës, ndërsa turneu do të përmbyllet më 2 tetor në Shkup.

Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, von der Leyen vlerësoi përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, ajo deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë do të forconte si vendin, ashtu edhe Bashkimin Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian theksoi, megjithatë, se Shqipëria ka ende punë përpara dhe se kërkohen reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur të negociatave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme