Merz në Kiev, Rusia vazhdon sulmet ndaj kryeqytetit të Ukrainës

Europë | 2 orë më parë

Një sulm rus me dronë ka vënë në alarm kryeqytetin ukrainas, Kiev, vetëm pak pas mbërritjes së kancelarit gjerman Friedrich Merz në një vizitë zyrtare solidariteti me Ukrainën.

Menjëherë pas mbërritjes së tij, rusët goditën Urën Veriore të qytetit, vetëm 20 minuta me makinë nga stacioni qendror hekurudhor ku kishte ndaluar Merz.

Sipas autoriteteve lokale, sirenat e alarmit ajror u aktivizuan në Kiev gjatë mëngjesit, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase u angazhua për të zmbrapsur dronët e lëshuar nga Rusia.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se mbetjet e një droni të rrëzuar ranë mbi çatinë e një ndërtese banimi në zonën e rrugës së Urës Veriore, duke ngritur shqetësime për sigurinë e banorëve.

Alarmet ajrore u dëgjuan edhe në rajone të tjera të Ukrainës. Në rajonin Sumy, në verilindje të vendit, autoritetet raportuan se pesë persona mbetën të plagosur pas një sulmi rus me bombë rrëshqitëse, e cila goditi një ndërtesë banimi.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz mbërriti në Kiev me tren në një vizitë që synon të konfirmojë mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Ukrainës në luftën kundër agresionit rus. Vizita vjen edhe pas paralajmërimeve të Ministrisë së Jashtme ruse drejtuar vendeve evropiane për të shmangur udhëtimet dhe qëndrimet në territorin ukrainas.

Gjatë qëndrimit në Kiev, Merz pritet të riafirmojë angazhimin e Berlinit për mbështetjen ushtarake të Ukrainës, përfshirë furnizimin me teknologji dhe dronë që do të ndihmojnë në mbrojtjen kundër sulmeve ajrore ruse.

Gjermania mbetet një nga mbështetëset kryesore të Ukrainës që nga nisja e luftës, duke ofruar ndihmë financiare, ushtarake dhe humanitare. Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se forcat ukrainase kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave ruse me qindra dronë gjatë ditëve të fundit, duke treguar se lufta mes dy vendeve vijon me intensitet të lartë në të dyja anët e frontit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme