Plani i Rusisë për dimrin? Zelensky: Synon izolimin e qyteteve dhe të godasë centralet bërthamore

Europë | 2 orë më parë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Rusia po planifikon të shfrytëzojë stinën e dimrit për të shkëputur Kievin, Kharkivin, Odesën dhe Lvivin nga pjesa tjetër e Ukrainës, si dhe për të shkëputur centralet bërthamore nga rrjeti elektrik.

Sipas Zelenskyyt dhe vlerësimeve të shërbimeve të inteligjencës ukrainase të cituara nga zyrtarë ukrainas dhe evropianë, synimi kryesor i Moskës është izolimi i qyteteve strategjike, thyerja e moralit të popullsisë, nxitja e kaosit dhe shkaktimi i një vale të re refugjatësh drejt Bashkimit Evropian.

Kyiv, Kharkiv dhe Odesa përbëjnë objektivat kryesore, ndërsa Lvivi — nyja kyçe logjistike pranë kufirit me Poloninë — është gjithashtu pjesë e këtij plani. Sulmet mbi objektet bërthamore synojnë të rrisin presionin ndaj Kievit zyrtar për të pranuar kushtet e Moskës në fillim të vitit 2027.

Fluksi i ri i refugjatëve synon të godasë drejtpërdrejt politikën e BE-së, duke shfrytëzuar vendet ku ndjenja kundër emigracionit është në rritje.

Siç raporton Financial Times, tensionet me Poloninë janë rritur përgjatë këtij viti, shoqëruar me një rritje të sulmeve ndaj ukrainasve në këtë shtet.

Ukraina tashmë ka siguruar prova dokumentare mbi këto plane. Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Energjisë, Denys Shmyhal, deklaroi më 25 shtator se Ukraina ka shtënë në dorë dy dokumente planifikimi ruse.

Këto dokumente listojnë si objektiva centralet elektrike, sistemet e ngrohjes, ujit, ujërave të zeza dhe ndërlidhësit energjetikë me Evropën, së bashku me tabela të detajuara të raketave dhe dronëve të nevojshëm për shkatërrimin e secilit prej tyre.

“Janë dy dokumente të mëdha, të hartuara në mënyrë shumë të ftohtë dhe të qartë”, u shpreh Shmyhal, i cili i paraqiti këto dokumente para partnerëve evropianë në Paris.

Gazeta The New York Times, e cila siguroi një kopje të planit të përgjuar, raportoi më 2 tetor se dokumenti përshkruan një fushatë me deri në 1,000 raketa, dronë dhe bomba kundër nënstacioneve elektrike, centraleve hidroelektrike, termocentraleve dhe kaldajave. Rusia synon të detyrojë mbylljen e tre centraleve bërthamore aktive të Ukrainës duke goditur stacionet e shpërndarjes elektrike që i lidhin ato me rrjetin — goditje të planifikuara në një distancë më pak se 1.6 km nga reaktorët.

Rreziku nuk kufizohet vetëm brenda kufijve ukrainas. Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Evropa po përgatitet për sulme hibride “të rënda” ruse, pasi Vladimir Putin paralajmëroi se konflikti i tij me Perëndimin mund të arrijë në një “pikë fatale pa kthim”, raportoi Financial Times më 1 tetor.

“Ne po përgatitemi për sulme të mëtejshme hibride, përfshirë ato të rënda. Nëse ato ndodhin, ne do të përgjigjemi shpejt dhe në mënyrë shumë të qartë”, tha Merz.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme