Zgjerimi i BE-së, Hoxha: Shqipëria po bën pjesën e saj, negociatat synojmë t’i mbyllim në 2027

Politikë | 50 minuta më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se angazhimet politike për zgjerimin e Bashkimit Evropian duhet të shoqërohen me hapa konkretë drejt anëtarësimit të vendeve kandidate.

Duke folur në edicionin e 12-të të “Tirana Connectivity Forum”, Hoxha theksoi nevojën për një udhërrëfyes të qartë dhe të dakordësuar me BE-në për procesin e zgjerimit dhe anëtarësimit.

“Shqipëria po bën pjesën e saj. Ne po ecim përpara kapitull pas kapitulli, kriter pas kriteri, reformë pas reforme, me objektivin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027”, deklaroi Hoxha.

Sipas ministrit, reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit nuk duhet të shihen vetëm si kërkesa të Bashkimit Evropian, por si pjesë e zhvillimit dhe modernizimit të vendit.

Hoxha u shpreh gjithashtu në favor të një integrimi gradual të vendeve kandidate, duke mundësuar pjesëmarrjen e tyre në politika dhe programe të BE-së, si dhe përfitimin nga mundësitë e Tregut të Përbashkët përpara anëtarësimit të plotë.

“Përmes pjesëmarrjes së shkallëzuar në politikat e BE-së, në Tregun e Përbashkët, në programet e përbashkëta dhe projektet strategjike, mund të përshpejtojmë konvergjencën, duke forcuar njëkohësisht besimin në procesin e zgjerimit”, tha ministri.

Hoxha theksoi se kjo qasje nuk duhet të shihet si alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por si një rrugë më pragmatike dhe e qëndrueshme drejt integrimit në Bashkimin Evropian.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme