Kosova me presidente të re, Kurti: Do punojmë bashkë për suksesin në apel të ish-krerëve të UÇK

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen si presidente e Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si hap drejt stabilitetit institucional të vendit. Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka deklaruar se bashkë me zgjedhjen e presidentes është miratuar edhe ligji me ndryshime për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. “Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka thënë se institucionet e Kosovës do të punojnë së bashku edhe për çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
“Do të punojmë bashkë për suksesin në apel të ish-krerëve të UÇK-së”, ka deklaruar Kurti ndërsa ka falënderuar deputetët që morën pjesë në votim, ndërsa mirënjohje të veçantë ka shprehur edhe për kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për pranimin e propozimit. “Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!”, ka shkruar Kurti.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan gjatë mesnatës Justina Shiroka-Pulën për presidente të Republikës së Kosovës. Në votim morën pjesë 84 deputetë. Shiroka-Pula mori 81 vota duke u zgjedhur kështu presidente e re e Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




