BE bie dakord për paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian ka arritur marrëveshje për një paketë të re sanksionesh që synon industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes së Rusisë. Lajmi është bërë i ditur nga Komisioneri i Presidentit të Ukrainës për Politikën e Sanksioneve, Vladyslav Vlasiuk.
Sipas Vlasiuk, BE-ja do t’i shtojë listës së sanksioneve rreth 1,700 zëra të rinj, ku rreth 60% e kësaj pakete përbëhet nga propozimet e vetë Ukrainës.Në mënyrë të veçantë, BE-ja ka përfshirë në paketë Byronë e Projektimit të Makinerive të Posaçme me qëndrim në qytetin e Kurganit.
Kjo kompani është ndër kryesoret në Rusi e specializuar në projektimin, zhvillimin dhe modernizimin e mjeteve të blinduara të lehta dhe të mesme, ndërsa ndodhej nën sanksionet e Ukrainës që nga shtatori. Vlasiuk bëri me dije se BE-ja po vendos sanksione ndaj individëve dhe kompanive të përfshira drejtpërdrejt në industrinë ruse të mbrojtjes.
“Bërthama e kësaj pakete është programi i raketave dhe baza e komponentëve elektronikë: elektronika, kondensatorët, rezistorët dhe gjysmëpërçuesit,” deklaroi komisioneri presidencial.
Ai shtoi gjithashtu se kufizimet do të zbatohen për prodhuesit dhe furnizuesit e materialeve, përfshirë ato që përdoren për makineritë e punës, dronët Lancet dhe armët balistike.
“Përfshihen lufta elektronike, ndërtimi i anijeve dhe lëndët plasëse. Gjithashtu janë përfshirë fabrika riparimi, kompani kimike, fabrika konfeksionesh dhe tregtarë,” vuri në dukje Vlasiuk.
Ambasadorët e Bashkimit Evropian miratuan paketën e 22-të të sanksioneve kundër Rusisë më 7 tetor. Paketa pritet të miratohet formalisht deri në mesin e muajit tetor.BE-ja kishte miratuar paketën e saj të 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë në korrik 2026.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




