Zelensky: Sulmet e fundit ruse s’do mbeten pa përgjigje

Europë | 28 minuta më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet e fundit ruse ndaj autobusëve në qytetin e Kramatorskut, në rajonin e Donetskut, nuk do të mbetet pa përgjigje.

Deklarata e tij erdhi pasi numri i viktimave u rrit në 33 të vdekur dhe 18 të plagosur, sipas të dhënave më të fundit ukrainase.

Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi ndodhi në një rrugë ku po udhëtonin dy autobusë të transportit publik.

Guvernatori i rajonit të Donetskut, Vadym Filashkin, e përshkroi sulmin si një sulm ndaj civilëve. Nga Moska nuk ka pasur ende ndonjë koment të menjëhershëm. Rusia zakonisht mohon se synon civilët në sulmet e saj mbi qytetet ukrainase.

Pas sulmit, autoritetet lokale urdhëruan pezullimin e shërbimeve të transportit publik në Kramatorsk dhe në qytetin fqinj të Slovianskut. Kjo masë u mor në kushtet e përkeqësimit të situatës së sigurisë.

Të dy qytetet ndodhen brenda brezit kryesor mbrojtës të Ukrainës në rajonin e Donetskut. Kohët e fundit, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet me dronë dhe bomba të drejtuara, sipas zyrtarëve ukrainas.

Zelensky theksoi se sulmi nuk do të mbetet pa përgjigje nga Ukraina, në një kohë kur lufta po përjeton një eskalim të vazhdueshëm dhe shkëmbim sulmesh mes dy palëve.

Sulmi në Kramatorsk ndodhi një ditë pas sulmeve të gjera ruse mbi rajone të ndryshme të Ukrainës. Këto sulme synuan kryesisht rrjetin e energjisë elektrike, ndërsa kryeqyteti Kiev u godit gjithashtu nga dronë që shkaktuan të vdekur dhe të plagosur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme