Papa do t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e një nyjeje pulmonare

Europë | 1 orë më parë

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit (Angelus), Papa Leo XIV ka ndarë me besimtarët një lajm lidhur me shëndetin e tij, duke njoftuar se i është zbuluar një nyje në mushkëri në fazë të hershme.

Sipas udhëzimeve mjekësore, Ati i Shenjtë ka marrë vendimin për t’iu nënshtruar një operacioni.

“Mjekët gjetën një nyjëz në mushkërinë time në fazën e saj fillestare dhe të lokalizuar mirë. Mjekët besojnë se është e përshtatshme të ndërhyhet, dhe kështu, duke ndjekur këshillën e tyre, kam vendosur të bëj një operacion për ta hequr atë. Operacioni është planifikuar tashmë për ditët e ardhshme”, u shpreh Papa.

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, ka saktësuar se ndërhyrja pritet të realizohet në fillim të javës në Poliklinikën Gemelli në Romë, ndërsa koha e rikuperimit llogaritet rreth një javë.

Përveç takimeve të menjëhershme për javën e ardhshme, agjenda aktuale e Papës mbetet e pandryshuar, përfshirë edhe vizitën e planifikuar në Peru nga 6 deri më 17 nëntor.

Reagimet e autoriteteve italiane dhe kishës

Njoftimi është pritur me solidaritet nga krerët e shtetit italian dhe përfaqësuesit e kishës katolike. Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, i ka drejtuar një mesazh urimi në emër të mbarë popullit italian.

“Populli italian është pranë jush dhe shpreh dashurinë e tij. Mund të mbështeteni jo vetëm në lutjet e besimtarëve katolikë, por edhe në mendimet e dhembshura të njerëzve të panumërt, si në Itali ashtu edhe në mbarë botën, qofshin besimtarë apo jobesimtarë”, theksoi kreu i shtetit italian.

Nga ana e saj, Kryeministrja Giorgia Meloni ka shprehur afërsinë e qeverisë italiane, duke vlerësuar qetësinë me të cilën Ati i Shenjtë e ka bërë publike këtë situatë.

“Dua t’i shpreh Atit të Shenjtë afërsinë time personale dhe atë të qeverisë italiane për operacionin që ai do të përballet në ditët në vijim. Qetësia me të cilën ai foli për këtë në Engjëllin e sotëm na jep zemër”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, Konferenca Episkopale Italiane (CEI), përmes Presidentit të saj, Kardinalit Matteo Zuppi, ka ftuar komunitetin e besimtarëve që të bashkohen në lutje.

“Ne jemi një familje: Atë i Shenjtë, nuk je vetëm! Të shoqërojmë me lutjet dhe dashurinë tonë që operacioni të shkojë mirë dhe Zoti të të dhurojë qetësi dhe forcë”, deklaroi Kardinali Zuppi në emër të kishave në Itali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme