Alarmi i inteligjencës perëndimore/ Financial Times raporton për komplotet ruse ndaj drejtuesve të mbrojtjes në Evropë

Agjencitë perëndimore të inteligjencës po ngrenë shqetësime serioze lidhur me një intensifikim të përpjekjeve të shërbimeve ruse të spiunazhit për të kryer sulme dhe vrasje me pagesë ndaj zyrtarëve dhe drejtuesve të industrisë evropiane të mbrojtjes. Sipas një raportimi të publikuar nga e përditshmja britanike Financial Times, ky zhvillim ka detyruar kompanitë ushtarake në Evropë të rrisin në mënyrë drastike masat e sigurisë rreth personelit të tyre drejtues.
Në zhargonin e inteligjencës ruse, këto operacione të dhunshme njihen si “punë e thatë” (dry work) — aksione që shpesh kryhen përmes elementeve kriminale. Zyrtarët e inteligjencës vlerësojnë se objektivi kryesor i Kremlinit mbetet psikologjik: të përhapet pasiguri në mënyrë që kompanitë perëndimore t’i mendohen mirë përpara se të lidhin kontrata me Ukrainën.
Shënjestrat e reja, nga gjigantët e mbrojtjes te prodhuesit e dronëve
Sipas informacioneve të mbledhura nga Financial Times me zyrtarë nga pesë agjenci të ndryshme inteligjence, sabotimet dhe sulmet ndaj civilëve — që dikur konsideroheshin tabu — po kthehen në një mjet aktiv për agjentët e Kremlinit. Shënjestrat nuk janë vetëm drejtuesit e korporatave të mëdha, por edhe ekzekutivët e kompanive më të vogla, veçanërisht ato që prodhojnë dronë dhe përbërës të tyre teknologjikë.
Në Gjermani, Shërbimi i Inteligjencës Vendase (BfV) ka intensifikuar kontaktet me drejtuesit e industrisë gjermane të mbrojtjes, duke u rekomanduar punësimin e ekipeve private të mbrojtjes nga afër. Drejtues të sektorit konfirmuan se kanë forcuar mbrojtjen personale gjatë gjashtë muajve të fundit me udhëzim të drejtpërdrejtë të autoriteteve shtetërore.
Arrestimi në Poloni dhe situata në Itali
Paralelisht me këto raporte, Kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se autoritetet kanë arrestuar një person të akuzuar për planifikimin e një sulmi ndaj tij dhe Ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz. Kërcënimet u morën në orët e para të 11 tetorit përmes rrugëve elektronike, duke vënë në lëvizje menjëherë shërbimet polake të sigurisë.
Polonia, si një vend anëtar i NATO-s që kufizohet me Ukrainën, mbetet veçanërisht e ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla hibride.
Nga ana tjetër, situata në Itali paraqitet më e qetë. Burime të informuara për agjencinë ANSA bëjnë me dije se asnjë paralajmërim specifik mbi komplotet ruse nuk ka arritur në ndonjë kanal zyrtar të komunikimit ndërshtetëror. Të njëjtat burime sqarojnë se përshkrimet e publikuara nga mediat janë pjesë e skenarëve të përgjithshëm të rrezikut, të cilët monitorohen vazhdimisht që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




