“Po na vjedhin të ardhmen”, Greta Thunberg bashkohet me studentët në protestën në Paris

Botë | 2 orë më parë

Aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg, iu bashkua të martën nxënësve të shkollave të mesme që protestuan në Francë kundër problemeve të thella të sistemit arsimor, mes mungesës së mësuesve, klasave të mbipopulluara dhe kushteve të këqija të ndërtesave shkollore.

Thunberg u shfaq pranë shkollës së mesme Paul Éluard, në Saint-Denis, në periferi të Parisit, një prej qendrave të lëvizjes së protestës. Ajo u shpreh se të rinjtë nuk po përfshihen në diskutimet për problemet që i prekin drejtpërdrejt dhe se shkollat nuk po marrin investimet e nevojshme.

“E ardhmja jonë po na vidhet”, deklaroi aktivistja, duke mbështetur kërkesat e nxënësve për më shumë vëmendje dhe financim për arsimin. (Thunberg, 23 vjeçe, iu bashkua nxënësve jashtë gjimnazit “Lycée Paul Éluard” të martën. Foto: John Leicester/AP)

Protestat kanë hyrë në javën e tretë dhe janë përhapur në disa qytete franceze, ku nxënësit kanë bllokuar shkolla, ndërsa në lëvizje janë bashkuar edhe studentë universitetesh, sindikata, mësues dhe përfaqësues të opozitës së majtë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme franceze, më shumë se 260 mijë persona morën pjesë në marshimet e së martës së kaluar, ndërsa 75 mijë të tjerë protestuan të enjten. Edhe këtë të martë janë parashikuar demonstrata në Paris dhe qytete të tjera të vendit.

Qeveria është vënë nën presion për të përmirësuar kushtet në shkolla dhe për të zgjidhur mungesën e personelit mësimor. Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, ka njoftuar angazhimin e 3 mijë mësuesve zëvendësues në institucionet ku mungesat janë më të theksuara, por protestuesit kërkojnë investime më të gjera dhe zgjidhje afatgjata.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë shoqëruar një pjesë të demonstratave, duke nxitur akuza për përdorim të tepruar të forcës. Sipas autoriteteve, më shumë se 6 800 persona, kryesisht të mitur, janë ndaluar gjatë protestave. Janë raportuar gjithashtu dëmtime të rënda të disa të rinjve, ndërsa rastet e dyshuara të dhunës policore po hetohen.

Presidenti Emmanuel Macron ka bërë thirrje për qetësi dhe dialog, ndërsa pakënaqësia e nxënësve vazhdon të ushtrojë presion mbi qeverinë franceze.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme