Gjenerali ukrainas: I kemi thyer Rusisë aftësinë për të përparuar në front

Ukraina ka arritur të stabilizojë vijën e frontit dhe t’i kufizojë ndjeshëm aftësitë e Rusisë për të përparuar, kryesisht për shkak të humbjeve të mëdha që ushtria ruse ka pësuar gjatë luftës. Kështu deklaroi ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, në një intervistë ekskluzive për BBC-në, të parën që prej largimit të tij nga detyra gjatë verës.
Syrskyi pretendon se humbjet e përgjithshme të Moskës në luftë janë gjashtë herë më të larta se ato të Ukrainës. Nëse llogariten vetëm të vrarët, sipas tij, raporti mund të arrijë deri në 11 me një në favor të Ukrainës.
As Rusia dhe as Ukraina nuk publikojnë zyrtarisht shifrat e ushtarëve të vrarë. Ushtria ukrainase ka deklaruar se në shtator u shkaktoi forcave ruse humbje rekord, por këto të dhëna nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Shërbimet britanike të inteligjencës vlerësojnë se Rusia ka humbur rreth gjysmë milioni ushtarë të vrarë që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Ndërkohë, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në SHBA, vlerëson se deri në qershor 2026 Ukraina kishte humbur deri në 150 mijë ushtarë të vrarë.
Sipas Syrskyt, diferenca në humbje, përparimet teknologjike të ushtrisë ukrainase dhe strategjia e goditjes së pikave të dobëta të armikut kanë ndikuar në ngërçin aktual në front.
Ai bëri të ditur se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, Rusia arriti të pushtonte gjithsej vetëm 61 kilometra katrorë territor. “Kjo është një tregues se vija e frontit është stabilizuar”, deklaroi ai.
Edhe Instituti për Studimin e Luftës (ISW) ka evidentuar këtë prirje. Sipas një prej raporteve të tij të fundit, në shtator 2026 Rusia humbi më shumë territor nga sa arriti të pushtonte.
Përplasjet me ministrin dhe kritikat për drejtimin e ushtrisë
Syrskyi u emërua komandant i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në vitin 2024. Ai ishte vlerësuar më herët për mbrojtjen e Kievit në fillim të pushtimit rus, në vitin 2022, si dhe për kundërofensivën e suksesshme në lindje të Harkivit gjatë vjeshtës së po atij viti.
Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shkarkoi gjatë verës, pas mosmarrëveshjeve të forta me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Fedorov e kishte akuzuar ushtrinë nën drejtimin e Syrskyt se po pengonte nismat e tij për përshtatjen me realitetet e reja të luftës. Fillimisht, Zelensky shkarkoi ministrin, por më pas largoi edhe Syrskyn, duke e zëvendësuar me gjeneralmajorin 43-vjeçar Mykhailo Drapatyi.
Në intervistën për BBC-në, Syrskyi tha se kishte pasur “mosmarrëveshje” me Fedorovin, pasi, sipas tij, ky i fundit “nuk merrte parasysh interesat e ushtrisë” gjatë prokurimit të armëve dhe pajisjeve.
Sipas ish-komandantit, Fedorov krijoi një çekuilibër në furnizime, duke i dhënë përparësi dronëve dhe duke lënë pas dore pajisje të tjera të nevojshme në vijën e frontit, si mjetet tokësore pa pilot, kamionçinat dhe motoçikletat. Ai pretendoi gjithashtu se ushtria merrte vetëm gjysmën e dronëve që i nevojiteshin.
Fedorov njihej për nismat e tij në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit, ndërsa Syrskyi ishte kritikuar nga disa kundërshtarë si një drejtues i vjetër në qasje, që nuk ishte i përshtatshëm për garën e re teknologjike me Rusinë.
Por ish-komandanti i kundërshtoi këto kritika. Sipas tij, gjatë drejtimit të tij, përdorimi i dronëve arriti nivele të paprecedenta, përfshirë sulme në thellësi të territorit rus, më shumë se 2 000 kilometra larg vijës së frontit.
Ai kujtoi gjithashtu se Ukraina ishte vendi i parë që krijoi Forcat e Sistemeve Pa Pilot si një degë të veçantë të ushtrisë. Syrskyi pretendon se sot dronët shkaktojnë rreth 80% të humbjeve ruse.
Akuza për tërheqje të vonuara dhe humbje në front
Gjatë drejtimit të Syrskyt, trupat ukrainase u detyruan të tërhiqeshin në kushte të vështira nga qytetet lindore Avdiivka dhe Vuhledar, si dhe nga zonat përreth Pokrovskut.
Disa ushtarë që kanë folur më herët për BBC-në kanë pretenduar se ishin urdhëruar të qëndronin në pozicionet e tyre me çdo kusht, edhe kur rrezikonin të rrethoheshin nga forcat ruse. Sipas tyre, urdhrat për t’u tërhequr vinin shpesh tepër vonë, duke shkaktuar humbje të mëdha.
Syrskyi nuk e mohoi se situata të tilla ndodhin në front, por argumentoi se Ukraina po përballet me një ushtri shumë më të fuqishme.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 Rusia kishte epërsi 18 me një në raportin e avionëve dhe bombave. Po atë vit, Moska kishte dy herë e gjysmë më shumë artileri dhe predha se Ukraina. Ai shtoi se Rusia mund të mobilizojë rreth katër milionë burra me përgatitje ushtarake, çka i jep mundësi të krijojë hapësira për depërtim në vijën e frontit.
Një prej operacioneve më të njohura të Syrskyt ishte ndërhyrja e trupave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, e nisur në gusht 2024. Operacioni përfundoi me një tërheqje dramatike në pranverën e vitit pasues, të cilën disa ushtarë e përshkruan si katastrofike.
Megjithatë, Syrskyi këmbënguli se ndërhyrja ishte e domosdoshme. Ai tha se në verën e vitit 2024, forcat ruse po përparonin në të gjitha drejtimet kryesore të frontit, me deri në gjashtë herë më shumë trupa se Ukraina.
Sipas tij, operacioni në Kursk pengoi ofensivën ruse dhe e detyroi Moskën të zhvendoste trupa nga zona të tjera, duke i dhënë ushtrisë ukrainase kohë për të rimarrë veten dhe për të riorganizuar brigadat e angazhuara në lindje dhe në jug.
Syrskyi u bëri gjithashtu thirrje aleatëve evropianë që të mos nënvlerësojnë ambiciet territoriale të Rusisë dhe të përgatiten që tani për mundësinë e një konflikti më të gjerë.
Ai i këshilloi partnerët evropianë të heqin dorë nga iluzioni se lufta nuk mund të shtrihet përtej Ukrainës dhe të marrin masa për t’u përgatitur.
Ish-komandanti parashikon se lufta në Ukrainë do të bëhet edhe më e varur nga teknologjia, me përdorim më të madh të robotëve, sistemeve të automatizuara dhe inteligjencës artificiale.
“Edhe armët e zakonshme tani pajisen me sisteme kontrolli të bazuara në inteligjencën artificiale, për të rritur aftësitë e tyre”, tha ai.
Sipas Syrskyt, teknologjitë e reja mund t’u japin jetë të re edhe armëve tradicionale, si tanket. Rusia dhe Ukraina po garojnë gjithashtu për zhvillimin e sistemeve aktive të mbrojtjes, të cilat synojnë të mbrojnë mjetet e blinduara nga sulmet.
Megjithatë, ai theksoi se, pavarësisht përparimit teknologjik, roli i njeriut do të mbetet vendimtar në fushën e betejës, pasi do të jetë i nevojshëm për kontrollin e këtyre sistemeve./BBC/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




