Nis gjyqi për sabotimin e Nord Stream, në bankën e të akuzuarve oficeri ukrainas i forcave speciale

Botë | 2 orë më parë

Një ushtarak ukrainas ka dalë para gjykatës në Hamburg, i akuzuar për përfshirje në shpërthimet që dëmtuan tubacionet e gazit Nord Stream në shtator të vitit 2022. Ngjarja konsiderohet një nga aktet më të bujshme të sabotimit në historinë e Evropës së pasluftës dhe shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturën që lidhte Rusinë me Gjermaninë.

Serhii Kuznetsov, oficer i forcave speciale të ushtrisë ukrainase, akuzohet nga prokuroria gjermane për përfshirje në një sulm ndaj infrastrukturës civile, shkaktim shpërthimi, dëmtim të pronës dhe ndërprerje të shërbimeve publike. Prokurorët e lidhin çështjen edhe me akuza për bashkëpunim në krime lufte.

Kuznetsov u paraqit të mërkurën në sallën e gjyqit me kostum gri, këmishë të bardhë dhe kravatë të zezë, i shoqëruar nga avokatët e tij. Ai përshëndeti ushtarakisht teksa hyri në sallë dhe dëgjoi në heshtje, për rreth 10 minuta, leximin e aktakuzës nga prokurori federal. Përmbajtja e saj u përkthye njëkohësisht në gjuhën ukrainase.

Për shkak të ligjeve gjermane për mbrojtjen e privatësisë, gjatë procesit ai identifikohet si Serhii K., megjithëse emri i plotë është përmendur në dokumentet e ekstradimit.

Sipas akuzës, ai dyshohet se ka përgatitur dhe realizuar shpërthimin e të paktën katër pajisjeve shpërthyese, me peshë deri në 27 kilogramë secila, në një thellësi prej rreth 80 metrash nën Detin Baltik, pranë ishullit danez Bornholm.

Prokuroria beson se operacioni është kryer nga një grup prej shtatë personash, përfshirë Kuznetsovin, katër zhytës në thellësi të mëdha, një ekspert për eksplozivët dhe kapitenin e një varke. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka përdorur një jaht të marrë me qira dhe eksplozivë të pajisur me mekanizma kohorë. Si Kuznetsov, ashtu edhe Ukraina, mohojnë përfshirjen në sulm.

Shpërthimet ndodhën më 26 shtator 2022, duke dëmtuar rëndë tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2. Tubacioni i parë ishte rruga kryesore përmes së cilës Rusia furnizonte Gjermaninë me gaz natyror, përpara se Moska të ndërpriste furnizimet në gusht të po atij viti. Ndërsa Nord Stream 2 ishte gati për të transportuar gaz, por nuk u vu kurrë në funksion, pasi Gjermania pezulloi procesin e miratimit pak para nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Serhii Kuznetsov, teksa shoqërohet për në një seancë dëgjimore në Karlsruhe të Gjermanisë, në nëntor të vitit 2025. Ai u arrestua në gusht të atij viti, ndërsa ndodhej me pushime në Itali. Foto: Thilo Schmülgen/Reuters

Sulmi ndodhi në një kohë kur vendet evropiane po përpiqeshin të ulnin varësinë nga energjia ruse, si reagim ndaj agresionit të Kremlinit. Shpërthimet nxorën në pah varësinë e Evropës, veçanërisht të Gjermanisë, nga gazi rus, si dhe vështirësitë për të zbardhur operacione të tilla të fshehta gjatë luftës.

Në fazat e para të hetimeve, disa vëzhgues të sigurisë dyshuan për përfshirjen e Moskës. Rusia e ka mohuar përgjegjësinë dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara, të cilat gjithashtu i kanë hedhur poshtë pretendimet.

Megjithatë, në korrik, prokurorët gjermanë akuzuan autoritete shtetërore ukrainase për urdhërimin e sulmit. Sipas tyre, qëllimi ishte ndërprerja e përhershme e furnizimit me gaz përmes tubacioneve dhe pengimi i Rusisë për të përdorur të ardhurat nga tregtia e gazit për financimin e luftës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka mohuar se vendi i tij ishte i përfshirë.

Kuznetsov u arrestua në gusht të vitit 2025, gjatë pushimeve me familjen në Itali. Sipas policisë italiane, ai u dorëzua pa bërë rezistencë, ndërsa dyshohet se udhëtonte me një pasaportë të falsifikuar. Në nëntor të vitit të kaluar, ai u ekstradua në Gjermani, pasi dështuan përpjekjet ligjore për të penguar dorëzimin e tij.

Një tjetër i dyshuar, Volodymyr Zhuravlyov, instalues kondicionerësh dhe zhytës amator, u arrestua në gusht në Kroacinë veriore, në bazë të një urdhër-arresti evropian. Ai po kundërshton ekstradimin drejt Gjermanisë dhe ka kërkuar azil në Kroaci, ndërsa mohon çdo rol në sabotim.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë politike të çështjes, qeveria gjermane ka shmangur komentet publike, raporton The Guardian. Procesi gjyqësor vendos në një pozitë të vështirë Berlinin, pasi Ukraina, ndaj së cilës drejtohen dyshimet, është një nga aleatët kryesorë të Gjermanisë në luftën kundër Rusisë.

Jashtë gjykatës, të mërkurën u mblodhën protestues me flamuj ukrainas dhe pankarta. Një ukrainas që jeton në mërgim në Gjermani deklaroi: “Është skandal që një ukrainas akuzohet sot këtu për një krim lufte, ndërkohë që Rusia kryen vazhdimisht krime lufte në Ukrainë”.

Çështja është shfrytëzuar edhe nga forcat politike gjermane. Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila ka shënuar rritje në sondazhe, e përdor sabotimin e Nord Stream për të kërkuar ndërprerjen e ndihmës gjermane për Ukrainën dhe rikthimin në funksion të tubacioneve, me argumentin se furnizimi me gaz të lirë do të ndihmonte në përballimin e kostos së jetesës.

Protestuesit pro Ukrainës u ndodhën vetëm pak metra larg mbështetësve të partisë së ekstremit të majtë BSW, e cila mban qëndrime të ngjashme me AfD-në për Rusinë dhe kërkon gjithashtu rikthimin e tubacioneve. Këta të fundit kërkonin një hetim parlamentar për motivet politike të sulmit.

Nord Stream kishte qenë objekt polemikash edhe përpara shpërthimeve. Presidenti rus Vladimir Putin dhe ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder kishin mbështetur ndërtimin e Nord Stream 1, duke anashkaluar Ukrainën si vend tranziti. Pas largimit nga kancelaria, Schröder u emërua kryetar i bordit mbikëqyrës të kompanisë Nord Stream AG. Javën e kaluar, ai u pa në festimin e ditëlindjes së Putinit.

Gjykata në Hamburg ka rrëzuar kërkesën e palës ruse për t’u përfshirë si bashkëpaditëse në proces. Kompania Gazprom, pronare e Nord Stream 2, kishte argumentuar se sulmi i kishte shkaktuar pasoja të rënda ekonomike. Gjykata vlerësoi se, megjithëse kostot e riparimit do të ishin të larta, rikthimi i tubacioneve nuk ishte ekonomikisht i pamundur.

Mbrojtja e Kuznetsovit pritet të kundërshtojë vetë zhvillimin e procesit, duke argumentuar se klienti i tyre po trajtohet “si një gur shahu”. Avokatët synojnë të ngrenë pyetjen nëse tubacionet Nord Stream duhet të konsiderohen infrastrukturë civile energjetike, siç i ka cilësuar shteti gjerman, apo nëse operacioni kishte që në fillim një objektiv ushtarak.

Sipas raportimeve, Kuznetsov pritet të ruajë të drejtën për të mos dhënë dëshmi. Dokumentet e tij ushtarake tregojnë se ai ishte në shërbim aktiv në kohën kur ndodhën shpërthimet. Mbrojtja pritet të paraqesë deklarata të betuara nga dy eprorë të tij ushtarakë, për të argumentuar se ai nuk mund të zbulojë detaje të veprimeve të kryera gjatë shërbimit.

Sipas raportimeve, urdhrat dyshohet se i janë dhënë nga një person që konsiderohet organizatori kryesor i sulmit dhe që ka dëshmuar në favor të tij.

Deri më 17 dhjetor janë planifikuar 16 seanca në Gjykatën e Lartë Rajonale të Hamburgut, ndërsa seanca të tjera pritet të zhvillohen në janar dhe shkurt. Procesi shihet si një çështje me pasoja të rëndësishme jo vetëm për të pandehurin, por edhe për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Ukrainës, si dhe për debatin mbi sigurinë energjetike të Evropës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme