Ambasada amerikane në Kosovë: Dialogu Strategjik varet nga përmbushja e kushteve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka bërë të ditur se rikthimi i Dialogut Strategjik SHBA–Kosovë varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, duke përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb. Në një përgjigje për RTK, një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka rikujtuar se dialogu u pezullua për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve të Uashingtonit lidhur me veprimet e ndërmarra nga qeveria e atëhershme në detyrë.
“Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.
Megjithatë, Uashingtoni ka theksuar se mbetet i përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta me Kosovën, duke lënë të hapur mundësinë e rifillimit të dialogut, nëse plotësohen kushtet e kërkuara.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Sa i përket mundësisë së rifillimit të dialogut, Ambasada amerikane ka përmendur në mënyrë të veçantë zotimet e institucioneve të Kosovës ndaj komunitetit serb.
“Presim që Dialogu Strategjik të zhvillohet me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga ana e Kosovës të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




