Protesta e dhunshme, Policia e Shtetit: 14 efektivë janë plagosur, shoqërohen 35 persona. Përgjegjësit do përballen me ligjin

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se si pasojë e dhunës në protestën e sotme janë plagosur 14 policë, ndërsa kërkon ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj punonjësve të saj dhe institucioneve shtetërore, si dhe të shkatërrimit me zjarr të pronës publike e private.
Policia e Shtetit u bën thirrje pjesëmarrësve të distancohen menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar, të mos i mbështesin dhe të mos u bashkohen atyre.
“Distancohuni menjëherë nga dhuna! Ndaloni sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike e private. Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit. Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar”, theksohet në njoftimin e policisë.
Më tej Policia e Shtetit thekson se e drejta për të protestuar garantohet me ligj por askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë. Për këtë arsye, sipas Policisë, përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
“E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë policët apo të shkatërrojë pronën. Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin. Shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit. Deri në këto momente janë shoqëruar 35 shtetas”, thekson më tej në njoftimin e saj, Policia e Shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




