Britania miraton projektin e gazit “Jackdaw”/Ambientalistët paralajmërojnë për emetime të larta, qeveria mbron sigurinë energjetike

Europë | 2 orë më parë

Qeveria britanike ka dhënë dritën jeshile për nxjerrjen e gazit nga vendburimi “Jackdaë”, në Detin e Veriut, duke ndezur debat të fortë për të ardhmen e politikave klimatike të vendit.

Vendimi vjen pas një beteje ligjore me organizatat mjedisore dhe ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha brenda Partisë Laburiste dhe radhëve të të Gjelbërve. Qeveria laburiste e kryeministrit Andy Burnham e cilëson vendimin si pragmatik, në një kohë kur lufta me Iranin ka shkaktuar luhatje të forta të çmimeve të energjisë, ndërsa gazi vendas do të forcojë sigurinë energjetike dhe mund të nisë furnizimin që këtë dimër.

Ky hap ka marrë gjithashtu mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar vazhdimisht zgjerimin e shpimeve në Detin e Veriut, ndërsa në Britani pritet të vazhdojë përplasja për projektin e naftës “Rosebank”, shumë më të madh se Jackdaë dhe me emetime potencialisht shtatë herë më të larta.

Kryeministri Burnham ka argumentuar se vendi duhet të shfrytëzojë me përgjegjësi rezervat ekzistuese, ndërsa vijon përpjekjet për kalimin drejt energjisë së rinovueshme dhe arritjen e objektivit për emetime neto zero deri në vitin 2050. Sipas qeverisë, fusha Jackdaë mund të rrisë prodhimin vendas të gazit me rreth 6 për qind në kulmin e saj dhe t’i shtojë ekonomisë afro 2,9 miliardë paund.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme