Rama reagon për të riun e plagosur në protestë: Shteti mundësoi transportin mjekësor dhe kurimin e të lënduarit në Itali

Aktualitet | 2 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, lidhur me trajtimin mjekësor në Itali të të riut nga Elbasani, i cili mbeti i plagosur gjatë protestës.

Rama thekson se nisma për ofrimin e shërbimit të specializuar mjekësor në Itali është marrë personalisht prej tij, ndërsa transporti me avion mjekësor drejt Romës dhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar nga shteti shqiptar.

Kryeministri sqaron se e ka takuar dhe i ka uruar shërim të shpejtë të riut përpara nisjes drejt Italisë, në sallën VIP të aeroportit, nga ku udhëtojnë edhe drejtuesit e lartë të shtetit.

Sipas Ramës, ndërhyrja nuk është bërë për protagonizëm, por për arsye humanitare. Ai nënvizon se, pavarësisht rrethanave në të cilat janë plagosur, qytetarët kanë nevojë për ndihmë dhe trajtim mjekësor.

“Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo  që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.

Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.

Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar.

Të shkuara edhe njëherë”, shkruan kryeministri.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme