Trump voton për zgjedhjet e mesmandatit, Obama i bashkohet fushatës së demokratëve
Presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump hodhën votat e tyre të hershme për zgjedhjet e mesmandatit në Florida. I pyetur nëse kishte votuar sipas linjës partiake, Trump u përgjigj “plotësisht”. Pyetjeve të gazetarëve iu përgjigj edhe Zonja e Parë amerikane.
Melania Trump tha se kishte folur me Papa Leonin e XIV-të, ndërsa shtoi se armëpushimi i përkohshëm për arsye humanitare në qytetin ukrainas Oleshki do të nisë në fund të muajit Pyetjes nëse do të udhëtonte drejt Ukrainës, ajo u përgjigj “të shohim”, ndërsa presidenti Trump tha se ai udhëtim mund të ndodhë.
Ai shtoi se nëse palët arrijnë marrëveshje, pas luftës mund të bëjë biznes me të dyja vendet. Lidhur me raportimet se Irani synon të shënjestrojë personelin amerikan në Lindjen e Mesme, Trump e cilësoi sërish udhëheqjen e Teheranit si shumë të dobët. Për sa u përket planeve për të sulmuar Iranin, lideri amerikan nuk e përjashtoi si mundësi, ndërsa tha se mund të arrihet edhe një marrëveshje e madhe.
Ndërkohë që demokratët po intensifikojnë fushatën në shtetet tradicionalisht republikane dhe ato të lëkundura, pasi partia e Trumpit po përballen me vështirësi në garat për Senatin, vetë presidenti nga Xhorxhia pranoi se ruajtja e avantazhit në disa shtete do të jetë një sfidë. Ndërkohë, ish-presidenti Barack Obama iu bashkua demokratëve në Michigan dhe Ohio në mbështetje të kandidatëve demokratë për zgjedhjet e 3 nëntorit.
Ai kritikoi ashpër administratën Trump për rritjen e kostos së jetesës, një shqetësim kryesor i votuesve amerikanë. Luftën ndaj Iranit ish-presidenti 65-vjeçar e cilësoi të panevojshme, ndërsa tha se është koha të themi “Mjaft”.
Ai dënoi gjithashtu tarifat tregtare të vendosura ndaj Kanadasë, duke ironizuar politikën tregtare të presidentit republikan. Sondazhet parashikojnë se demokratët mund të rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por do të përballen me një garë shumë më konkurruese për Senatin, ndërsa të dyja dhomat aktualisht drejtohen nga republikanët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




