Pas ndërprerjes së energjisë në Lezhë, reagon OSSH: Vijon puna për riparimin e linjave të dëmtuara nga moti i keq

Aktualitet | 21 minuta më parë

Pas problemeve me furnizimin me energji elektrike që prej paradites kanë prekur mijëra banorë dhe dhjetëra biznese në disa fshatra të Lezhës, ka reaguar Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), duke dhënë detaje mbi situatën dhe ndërhyrjet në terren.

Përmes një njoftimi, OSSH bëri të ditur se grupet e punës po vijojnë ndërhyrjet për riparimin e linjave të dëmtuara nga kushtet e pafavorshme atmosferike në disa zona rurale të qarkut të Lezhës.

Sipas operatorit, pavarësisht motit të keq, ekipet kanë arritur të rikthejnë energjinë elektrike në një pjesë të zonave të prekura, ndërsa puna vazhdon në segmente të tjera të rrjetit ku dëmtimet nuk janë eliminuar ende.

“Grupet e OSSH vijojnë punën për riparimin e linjave të dëmtuara nga moti i keq në disa zona rurale të Lezhës. Pavarësisht kushteve jo të favorshme, ekipet tona kanë mundur të rikthejnë energjinë elektrike, ndërkohë që po punohet ende në pjesë të ndryshme të rrjetit elektrik”, thuhet në reagimin e OSSH.

Më herët gjatë ditës, banorë të fshatrave Kolsh, Manati, Treshi, Spiteni, Markatomaj, Zejmeni, Gajushi dhe Pllana raportuan mungesë të energjisë elektrike për disa orë me radhë, situatë që ka shkaktuar vështirësi si për familjet ashtu edhe për bizneset e zonës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme