Kodi i ri i Procedurës Penale, Gogu: Konsultimi vijon javën e ardhshme me median dhe shoqërinë civile

Aktualitet | 26 minuta më parë

Procesi i konsultimit për projektligjin e ri të Kodit të Procedurës Penale vijon edhe pas përfundimit të afatit zyrtar më 28 tetor, ndërsa javën e ardhshme Ministria e Drejtësisë do të zhvillojë takimin e fundit me përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu bëri të ditur se gjatë konsultimeve janë marrë mendime nga aktorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, SPAK-un, avokatë, ekspertë dhe qytetarë.

“Në 30 shtator e nxorëm projektligjin për konsultim publik. Në 28 tetor e mbyllëm afatin zyrtar, por konsultimi vazhdon dhe puna nuk ka mbaruar ende”, deklaroi Gogu.

Ai theksoi se projektligji është hartuar edhe me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe i është dërguar Komisionit Evropian. Sipas ministrit, dokumenti ka marrë edhe kritika, të cilat po shqyrtohen dhe adresohen gjatë procesit.

“Dhe pikërisht për këtë shërben konsultimi, jo për të thënë se i kemi dëgjuar të gjithë”, u shpreh Gogu.

Ministri bëri të ditur se përpara se projektligji të marrë formën përfundimtare, mbeten edhe disa hapa, duke nisur me takimin e javës së ardhshme me median dhe shoqërinë civile.

“Do të kryejmë edhe konsultimin e fundit”, tha ai, duke nënvizuar se çdo propozim i shqyrtuar do të marrë përgjigje dhe raporti i konsultimit do të bëhet publik.

Pas përfundimit të këtij procesi, projektligji do t’i nënshtrohet vendimmarrjes në qeveri dhe më pas do të shqyrtohet nga Kuvendi.

Gogu theksoi se Kodi i ri i Procedurës Penale duhet të ruajë ekuilibrin mes mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve dhe garantimit të mjeteve ligjore për institucionet që hetojnë veprimtarinë kriminale.

“Një Kod i Procedurës Penale duhet të bëjë dy punë njëkohësisht, nga njëra anë të mbrojë të drejtat e qytetarit dhe nga ana tjetër t’u japë institucioneve mjetet ligjore për të hetuar krimin. Asnjëra më e fortë se tjetra”, përfundoi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme