Dy vite protesta pro BE-së në Gjeorgji, qytetarët marshojnë për integrimin europian

Europë | 19 minuta më parë

Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën të shtunën në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi, për të shënuar dy vite nga nisja e protestave masive kundër vendimit të qeverisë për të pezulluar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Gjeorgjia vijon të përballet me tensione politike që prej zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2024, të cilat u kontestuan nga opozita dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar.

Kriza u thellua pasi kryeministri Irakli Kobakhidze njoftoi se bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE do të pezulloheshin deri të paktën në vitin 2028.

Ky vendim shkaktoi protesta mbarëkombëtare, të cilat u shoqëruan me përplasje me policinë. Pavarësisht arrestimeve, gjobave dhe masave të ashpra të autoriteteve, protestuesit kanë vazhduar të dalin çdo ditë në rrugët e Tbilisit, duke kërkuar zgjedhje të reja dhe lirimin e demonstruesve të arrestuar.

Me flamuj të Bashkimit Evropian dhe të Gjeorgjisë në duar, mijëra qytetarë mbushën sheshet kryesore të kryeqytetit, në një tubim të organizuar nga aktivistët pro-evropianë dhe partitë opozitare.

Organizatorët e protestës akuzuan partinë në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, se ka devijuar nga kursi evropian i vendit.

“Ëndrra Gjeorgjiane ka tradhtuar rrugën evropiane dhe euroatlantike të Gjeorgjisë, një orientim që është i sanksionuar edhe në Kushtetutë”, deklaruan ata.

Nga ana tjetër, kryeministri Kobakhidze deklaroi se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe se është e gatshme të nisë bisedimet e pranimit në çdo moment.

Megjithatë, qeveria ka akuzuar Brukselin për promovimin e politikave që sipas saj bien ndesh me vlerat tradicionale të vendit dhe ka argumentuar se masat e marra synojnë mbrojtjen e sovranitetit të Gjeorgjisë.

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime për trajtimin e protestuesve. Amnesty International deklaroi se mijëra persona janë përballur me ndalime arbitrare dhe gjoba, ndërsa qindra të tjerë kanë raportuar keqtrajtim gjatë dy viteve të fundit.

Ndërkohë, autoritetet kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar aktivitetin e partive opozitare, mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile. Gjykata Kushtetuese po shqyrton një kërkesë të partisë në pushtet për ndalimin e pesë forcave kryesore opozitare, me vendimin që pritet deri në vitin 2027.

Parlamenti Evropian ka dënuar këtë nismë, duke paralajmëruar se masa të tilla do ta largonin edhe më shumë Gjeorgjinë nga Bashkimi Evropian.

Edhe pse Gjeorgjia mori statusin e vendit kandidat për në BE në vitin 2023, Brukseli ka vlerësuar se procesi i integrimit është në ngërç për shkak të shqetësimeve mbi standardet demokratike dhe sundimin e ligjit. Sipas sondazheve të opinionit, rreth 80 për qind e qytetarëve gjeorgjianë mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme