Netanyahu: Lufta në Gaza do të vazhdojë me ose pa mbështetjen e ndërkombëtarëve

Botë | 3 vite më parë

“Asgjë nuk do ta ndalojë Izraelin të vazhdojë luftën kundër Hamasit, duke përfshirë presionet ndërkombëtare”, deklaroi kryeministri Benjamin Netanyahu, në një video të postuar në X (Twitter).

Duke folur me ushtarët në një bazë ushtarake në jug të Izraelit, ai tha se lufta do të “vazhdojë deri në fund, deri në fitore, deri në eliminimin e Hamasit”.

“Dua të them në mënyrën më të qartë atë që sapo i thashë komandantit në terren, do të vazhdojmë deri në fund. Nuk ka fare një pyetje të tillë. Këtë e them edhe përballë dhimbjes së madhe të ushtarëve të rënë, por edhe përballë presioneve ndërkombëtare. Asgjë nuk do të na ndalojë, do shkojmë deri në fund, drejt fitores, jo më pak se kaq“, deklaroi ai.

Edhe ministri i tij i Jashtëm Eli Cohen, tha se lufta në Rripin e Gazës do të vazhdojë “me ose pa mbështetje ndërkombëtare”

Sipas tij, një armëpushim “në fazën aktuale” do të ishte një “dhuratë për organizatën terroriste Hamas”.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të martën me shumicë dërrmuese një rezolutë jodetyruese që kërkon një armëpushim në Gaza. Po ashtu, edhe presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se Izraeli ka filluar të humbasë mbështetjen globale për “bombardimet e tij pa dallim” të Gazës.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se 18.600 njerëz janë vrarë dhe 50.000 janë plagosur në enklavë që nga fillimi i luftës./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme