Aplikimi i Suedisë në NATO, parlamenti turk shtyu vendimin rreth anëtarësimit

Botë | 3 vite më parë

Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit turk hapi debatin mbi aplikimin e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, por shtyu procedurat për një datë të mëvonshme pa marrë ndonjë vendim.

Takimi u ndërpre pasi ligjvënësit nga partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan paraqitën një mocion për shtyrje me arsyetimin se disa çështje kishin nevojë për sqarime dhe se negociatat me Suedinë nuk ishin “pjekur” sa duhet.

Kryetari i komitetit Fuat Oktay u tha gazetarëve se ambasadori suedez mund të ftohet në seancën e ardhshme për të dhënë informacione të mëtejshme mbi hapat që ka ndërmarrë vendi i tij për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë.

Presidenti turk Erdogan hoqi kundërshtimin e tij ndaj aplikimit të Suedisë gjatë një samiti të NATO-s në korrik dhe dërgoi protokollin e pranimit në Parlament për ratifikim muajin e kaluar.

Ndryshimi i qëndrimit të Turqisë erdhi pasi Stokholmi premtoi bashkëpunim më të thellë me Turqinë në luftën kundër organizatave terroriste dhe për të mbështetur ambicien e Turqisë për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Gazetar A. Mata

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme