Netanjahu takon ushtarët izraelitë: Së shpejti nis ofensiva tokësore në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u ka bërë të ditur ushtarëve se do të nisë sa më parë ofensiva tokësore në Gaza.
“Ne qëndrojmë përpara fazës tjetër dhe ajo po vjen. Ju jeni pjesë e saj; ju jeni pjesë e pararojës”, u shpreh Netanjahu drejtuar njësisë Yahalom të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
Njësia Yahalom është një njësi speciale e Korpusit të Inxhinierisë Luftarake dhe është e trajnuar për t’u marrë me detyra të veçanta inxhinierie, transmeton faqja e internetit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
Në njoftimin për shtyp thuhet se Netanjahu u informua mbi aktivitetin e fundit të njësisë dhe për përgatitjen e saj për të ardhmen gjatë një vizite në bazën Immanuel IDF.
“Ne kemi vetëm një mision, të shkatërrojmë Hamasin. Ne nuk do të ndalemi derisa ta përfundojmë atë, me ndihmën tuaj. Unë mbështetem tek ju; populli i Izraelit mbështetet tek ju. Unë jam krenar për ju dhe ju përshëndes” tha Netanjahu, transmeton CNN.
Netanjahu vazhdoi duke thënë se Izraeli “po godet armikun me forcë të madhe”.
“Dje, në sulmet tona në Gaza, ne i dhamë armikut goditjen më të ashpër që ata kanë marrë në një ditë të vetme.
Ne vramë dhjetëra terroristë, ndoshta edhe më shumë. Pikërisht në këtë moment po sqarojmë përmasat e sakta të goditjes.
Megjithatë, ne gjithashtu e dimë se edhe pse jemi aktivë në sektorë shtesë në veri, ne po godasim këdo që përpiqet të na sulmojë, në Jude dhe Samari gjithashtu”, u shpreh, duke përdorur emrat biblikë për t’iu referuar Bregut Perëndimor.
Në njoftimin për shtyp shkruhet se Netanjahut iu treguan disa municione që Hamasi i solli në Izrael, të cilat u kapën nga njësia Yahalom dhe iu dorëzuan Qendrës së saj Kombëtare për Municionet Neutralizuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




